Bota

Trump imun ndaj ndjekjes penale, gjykatësit amerikanë janë skeptikë!

Gjykatësit e Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur dyshimet e tyre mbi pjesën se ish-presidenti amerikan, Donald Trump është imun ndaj ndjekjes gjyqësore lidhur me akuzat se tentoi ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në një rast historik, avokatët e Trumpit thanë se koha që ai kaloi në pushtet e mbron nga akuzat në lidhje me dyshimet se u përpoq të zhbënte disfatën në zgjedhjet presidenciale 2020. Por, Departamenti i Drejtësisë argumentoi se Presidenca nuk është mbi ligjin.

Gjatë seancës së gjatë dëgjimore, gjykatësit i bënë vazhdimisht presion avokatit të Trumpit që të mbrojë pretendimet se Trumpi është i mbrojtur nga akuzat penale për veprimet, për të cilat thotë se ishin pjesë e detyrave të tij si president.

77 vjeçari Trump pretendon të mos përballet me akuza penale sepse në atë kohë kishte vepruar si president. Ai vazhdimisht e ka përmendur imunitetin presidencial deri kur u përball me padi penale dhe civile.

Ky argument i tij u rrëzua muajin e kaluar nga një gjykatës i një gjykate më të ulët, i cili po merret me rastin kundër tij, ndërsa edhe gjykatësit e Apelit shprehën dyshimet e tyre se presidentët gëzojnë imunitet të plotë pasi të jenë larguar nga zyra e presidentit.

Pavarësisht vendimit që do ta marrë Gjykata e Apelit, rasti pritet të përfundojë në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku konservatorët kanë shumicën prej 6-3.

Ky rast mund të ketë ndikim të madh në të ardhmen e presidencës amerikane dhe për atë se çfarë i lejohet një shefi të Shtëpisë së Bardhë. Trump është favorit në garën për t’u kandiduar për president nga radhët e republikanëve dhe pritet të garojë kundër presidentit Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Pasi doli nga gjykata, Donald Trump se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se po ndiqet penalisht për “arsye politike”.

Presidenti duhet të ketë imunitet.