Bota

Trump: Ndihma për Ukrainën mund të jetë në formë kredie!

Në kohën kur kryetari i ri në detyrë i Dhomës së Përfaqësuesve përballet me rebelim nga ligjvënës republikanë kundër ndihmave të reja për Ukrainën e Izraelin, tani mund të jetë pak më i qetë pasi mori mbështetje publike nga Donald Trump. Ish-presidenti, i cili pritet të rikandidojë në presidencialet amerikane të nëntorit, u shfaq në një konferencë shtypi me kryetarin Mike Johnson-in, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

Ai po bën një punë vërtet të mirë, në rrethana shumë të vështira.

Trump sugjeroi që republikanët të bëjnë përpjekje për ndihma të mëtejshme amerikane për Ukrainën “në formën e një kredie, në vend të një dhurimi”. Johnson, i zgjedhur ligjvënës në shtetin Luiziana është në detyrën e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve nga tetori i kaluar. Ai nuk komentoi për ndihmat. Por, qëndrimi i Trump-it pritet të ndikojë te disa ligjvënës republikanë.

Sipas ligjvënësit republikan, Steve Scalise, kryetari Johnson ka negociuar me Shtëpinë e Bardhë mbi një propozim për ndihmat, që do të ndryshonte nga paketa e përfshirë në projekbuxhetin prej 95 miliardë dollarësh të miratuar nga Senati.

Ndihma për Ukrainën është ndër elementët më të debatuar ndërsa vazhdon luftën me Rusinë. Po kështu edhe ndihma për Izraelin, që vijon ofensivën e gjerë ushtarake kundër Hamasit në Gazë. Nëse shihet që Johnson po plotëson kërkesat e demokratëve, kjo vetëm do të zgjeronte numrin e ligjvënësve republikanë të pakënaqur me punën e tij drejtuese.

Por, kryetari Johnson është i detyruar të bashkëpunojë me demokratët për projektligjet kryesore, pasi partia e tij ka një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Drejtuesi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi Hakeem Jeffries ka sugjeruar se demokratët mund ta ndihmonin Johnson-in të qëndronte në postin e kryetarit nëse ai do të ndihmonte për miratimin e propozimit për ndihmat të kaluar në Senat e ku shumicën e kanë demokratët.

Detyra për arritjen e një konsensusi në Dhomën e Përfaqësuesve qëndron mbi shpatullat e Mike Johnson-it, i cili pati votuar kundër certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020. Vizita e tij në rezidencën e Trump-it në Florida shihet si një përpjekje për të gjetur mbështetje nga ish-presidenti e që ka qenë jetike për zyrtarët kryesorë republikanë.

Mungesa e mbështetjes së tij për ish-kryetarin e mëparshëm të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, si dhe për ish-kryetaren e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel solli largimin e tyre nga këto poste drejtuese.