Bota

Turqia rikonfirmon kundërshtimin për zgjerimin e NATO-s!

“Turqia nuk mund të pranojë një propozim zgjerimi që do të minonte sigurinë e vetë NATO-s”. Këtë e deklaroi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, duke iu referuar dyshimeve sipas të cilave Suedia dhe Finlanda mbështesin terrorizmin. Zgjerimi i NATO-s do të varet nga respektimi i aleatëve për shqetësimet e sigurisë. Erdogan tha se “Suedia kohët e fundit refuzoi kërkesën turke për ekstradimin e 30 terroristëve”.

Terroristët nuk do të na i jepni, por do të kërkoni miratimin tonë për t’u bashkuar me NATO-n. NATO është një organizatë sigurie. Ne nuk mund të themi “PO” për t’i hequr sigurinë kësaj organizate të sigurisë.

Pak orë pasi Suedia dhe Finlanda paraqitën aplikimet e tyre për anëtarësim në NATO, qeveria gjermane vendosi të japë miratimin e saj që të dy vendet t’i bashkohen Aleancës. Kjo i mundëson ambasadorit gjerman në NATO, Rudiger Konig të nënshkruajë dy protokollet e anëtarësimit, pasi të përfundojë procesi i brendshëm i pranimit. Përgatitjet janë duke u zhvilluar tashmë në Berlin.

Presidenti Frank-Walter Steinmeier kishte dhënë më parë lejen e tij për nënshkrimin e dokumenteve të nevojshme, ndërsa ministrja e Jashtme Annalena Baerbock kishte deklaruar më parë se do të kishte një proces të shpejtë pranimi për Suedinë dhe Finlandën. Ambasadorët suedez dhe finlandez i kanë dorëzuar zyrtarisht aplikimet e tyre për NATO sekretarit të përgjithshëm Jens Stoltenberg, në një video ceremoni në internet, sot në Bruksel.

Duke pranuar aplikimet në selinë e NATO-s, Stoltenberg tha se masa ishte një “hap historik” në një “moment kritik” për sigurinë europiane në sfondin e luftës së Rusisë në Ukrainë që vijon prej 24 shkurtit. Shefi i NATO-s tha se aleanca do të vlerësojë ofertën e anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur, por interesat e sigurisë të të gjithë aleatëve “duhet të merren parasysh”. Ai u referohej kundërshtimeve të fundit nga Turqia.