Aktualitet

U hodh nga kati i 3-të i Spitalit të Traumës, vetëvritet një 47-vjeçar!

Një 47-vjeçar nga Tepelena i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i tretë i Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm dhe mësohet se viktima mjekohej në spital prej mesditës së djeshme kur u dërgua për shkak të plagëve me thikë po të vetëshkaktuara, në një tjetër përpjekje që të vetëvritej. Sipas familjarëve, 47-vjeçari ka patur disa episode të tilla.

Tiranë/Informacion paraprak

 Më datë 25.02.2024, rreth orës 05:30, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i 3-të i Spitalit të Traumës, shtetasi M.H., 47 vjeç, i cili si pasojë e dëmtime të marra ka ndërruar jetë.

Ky shtetas është paraqitur për ndihmë mjekësore në spital, më datë 24.02.2024, rreth orës 12:00, pasi është vetëplagosur me mjet prerës thikë, në Tepelenë.

47-vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe sipas deklarimeve të familjarëve ka tentuar të vetëvritet dhe më parë.

Më herët, u raportua se një person me probleme të shëndetit mendor u arrestua në flagrancë në Kuçovë pasi goditi me send të fortë një 65-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime. Ngjarja pasoi një sherr për motive të dobëta në një lokal në fshatin Perondi. Po ashtu nisi procedimi penal për babanë e agresorit, i cili kanosi të dëmtuarin për ta detyruar të tërhiqte denoncimin.

Njoftimi i policisë:

Në ambientet e një lokali, për motive të dobëta, goditi me send të fortë, një 65-vjeçar, arrestohet 29-vjeçari. Procedohet penalisht babai i 29-vjeçarit, pasi kanosi të dëmtuarin, për të tërhequr denoncimin.

Sapo janë njoftuar për një konflikt ndërmjet 2 shtetasve, në një lokal në fshatin Perondi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, për të zbardhur rrethanat e konfliktit dhe për të arrestuar përgjegjësin/it.

Menjëherë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 29 vjeç (shtetas me probleme mendore), banues në Kuçovë, i cili për motive të dobëta, në ambientet e një lokali, goditi me send të fortë, shtetasin Xh. Sh., 65 vjeç.