Bota

U larguan nga Azovstali, mister fati i luftëtarëve ukrainas!

Sa vijnë e rriten shqetësimet për fatin e më shumë se 250 ushtarëve ukrainas. Sipas Moskës, ata u dorëzuan te forcat ruse, pas disa javësh rezistencë në fabrikën e çelikut Azovstal të Mariupolit në Ukrainë.

Largimi i tyre i dha fund një prej rrethimeve më të përgjakshme të luftës së Rusisë në Ukrainë. Kjo i lejon presidentit rus, Vladimir Putin, të pretendojë një fitore të madhe në ofensivën në Ukrainë, për të cilën shumë analistë të çështjeve ushtarake thonë se “ka ngecur”.

Autobusët me ushtarë u larguan nga fabrika në fillim të kësaj jave dhe u shoqëruan nga makina të blinduara të ushtrisë ruse. Pesë autobusë shkuan në qytetin Novoazovsk, që kontrollohet nga pushtuesit. Moska tha se luftëtarët e plagosur do të marrin trajtim mjekësor.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi për shtatë autobusë me luftëtarë ukrainas nga Azovstali, të dërguar në burgun e rihapur në Olenivka pranë Donjeckut e që kontrollohet po nga rusët. Rusia deklaroi se të paktën 256 luftëtarë ukrainas dorëzuan armët, përfshirë 51 të plagosur rëndë. Ndërkohë, Kievi informoi për 264 ushtarë, mes tyre 53 të plagosur të evakuar nga Azovstali.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi video me pamje të luftëtarëve duke u larguar nga fabrika, disa prej të cilëve me barela. Po ashtu, u shfaqën të tjerë që dilnin nga fabrika me duart lart, ndërsa rusët i kontrollonin.

Të dyja palët folën për një marrëveshje, sipas së cilës “të gjitha trupat ukrainase do të largoheshin nga Azovstali”, por pak detaje janë bërë publike. Nuk dihet nëse të tjerë gjenden ende brenda fabrikës. Po ashtu, nuk ka detaje nëse Rusia dhe Ukraina ranë dakord mbi ndonjë formë të shkëmbimit të të burgosurve. Kremlini u shpreh se “Presidenti Putin ka garantuar se të burgosurit do të trajtohen sipas standardeve ndërkombëtare”. Zyrtarët ukrainas e kanë lënë të hapur mundësinë e këmbimit të pengjeve ruse.