Aktualitet

U përfshi në sherr banal me fqinjin, goditet me sende të forta në kokë efektivi i policisë në Shkodër!

Është goditur me sende të forta efektivi i policisë Admir Okaj.

Ngjarja ka ndodhur afro para dy orësh në afërsi të banesës së tij në zonën e Zdrales.

Efektivi Okaj është qëlluar me mjete të forta në kokë pas një sherri banal me fqinjin, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bëhet me dije se efektivi është konfliktuar me fqinjin e tij, Ormir Gucia e po bëhet krehja e zonës për kapjen e këtij të fundit.

Shkak dyshohet se ka qenë një konflikt i çastit.

Pasi ka marrë mjekim në kokë në spitalin e Shkodrës është larguar ndërsa po jep dëshminë e tij për policinë. Okaj ka shërbyer për shumë vite me forcat e FNSH në Shkodër ndërsa prej disa kohësh shërben në qarkun e Elbasanit.

Policia është duke hetuar, ndërsa efektivët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën përreth.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 15:45, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, shtetasi O. G., 47 vjeç, ka dëmtuar në kokë, me sende të forta, shtetasin A. O., 49 vjeç, banues në Shkodër (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili po merr mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë konfliktit dyshohet se arma e shërbimit e punonjësit të Policisë është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme, por pa shkaktuar dëmtime.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e 47-vjeçarit.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, po kryen veprime edhe AMP, për të zbardhur rrethanat e përdorimit ose jo të armës së zjarrit, si dhe për të përcaktuar nëse shkrepja e armës ka qenë e pavullnetshme.