Rajoni

U plagos të hënën në përleshje me KFOR-in, e rëndë gjendja e serbit që mund të dërgohet në Beograd!

Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç, tha se “është e rëndë” gjendja e një serbi, i cili më 29 maj u plagos me armë zjarri gjatë përleshjes me pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në Zveçan. Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë deklaroi:

Aktualisht po shqyrtohet nëse ai duhet të dërgohet në Beograd për trajtim të mëtejshëm. Eshtë fjala për lëndime të rënda në pjesën e legenit, si dhe të enëve të gjakut.

Nga institucionet shëndetësore ende nuk ka një konfirmim të këtij informacioni. Përleshjet mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, të hënën në Zveçan, lanë dhjetëra të plagosur në të dy anët.

Në protestën e sotme të serbëve në Zveçan të komunës së veriut janë dhe minatorët. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se ata nuk kanë mundur ta bëjnë punën e tyre që nga e premtja e 26 majit. Punonjësi i minierës Crnac, Darko Milloviç, i cili foli për mediat në emër të kolegëve, tha se prodhimi është pezulluar që nga e premtja, për shkak se forcat speciale kanë bllokuar punën e nuk lejojnë kamionët të transportojnë minerale. Ai vuri në dukje se pagat e tyre varen nga çka prodhojnë.

Qytetarët në Zveçan filluan të mblidhen në orët e para të mëngjesit në protestën e radhës kundër kryetarit shqiptar. Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të kësaj komune, që funksionon nën sistemin e Serbisë, u regjistruan në listën e të punësuarve të vendosur në një tryezë, si dëshmi të pjesës që “vijnë në punë”.

Forcat e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR janë dislokuar në të gjithë Zveçanin. Në këtë komunë në veri të Kosovës, ashtu si dhe në Leposaviç e Zubin Potok, protestat vazhdojnë prej ditësh. Protestuesit kërkojnë tërheqjen e kryetarëve shqiptarë e të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri.