Politikë

U prangos për blerje votash, gjykata e Vlorës lë në burg Fredi Belerin; dosja i kalon SPAK-ut

Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Himarës, i cili u arrestua dy ditë më parë me akuzën e blerjes së votave.

Pas kësaj seance grupi i hetimit do të udhëtojë drejt kryeqytetit pasi masa për të dytin e arrestuar për votat e Himarës, Pandeli Kokoneshi, do të mbahet në QSUT.

Burimet i treguan gazetares Hoxha se Kokoneshi mbas shtrimit në spitalin e Vlorës është transportuar drejt Tiranës.

“Nuk jemi në gjendje të themi nëse kjo është një lojë e avokatëve apo vërtet i dyshuari ka shfaqur shenja të rëndimit të gjendjes shëndetësore“- shtoi një nga anëtarët e grupit të hetimit, sipas të cilit, “është e vërtetë që i dyshuari ka kryer një ndërhyrje në zemër 10 vjet më parë, por nga ndihma e parë që ju dha në spitalin e Vlorës gjendja e tij nuk ishte aq kritike sa të transportohej drejt Tiranës”.

Në përfundim të masës për Fredi Belerin, i takon trupës gjyqësore që të caktojë orën se ku do të mbahet seanca tjetër në spital. Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u arrestua dje pak minuta pas mesnate, pasi akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim”. Sikurse raportoi Top Channel, Beleri u arrestua në restorantin e tij në Himarë, dhe shoqërua më pas në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Vlorë rreth orës 00:15.

Në komisariatin e Himarës, Belerin e kanë pritur simpatizantë teksa bashkë me ta ka qenë edhe kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili e quan sulm të pastër politik dhe bën thirrje që të tilla tentative, për pengimin e procesit elektoral të ndalen. Sipas Dules shoqërimi i sotëm i Belerit, është orkestruar enkas nga kryeministri Rama.

Ndalimin e Belerit nën dyshimin e shit-blerjes së votave, vetë kreu i qeverisë nuk e ka përdorur si një ngjarje për të fërkuar duart. Duke kërkuar mos-politizimin e çështjes, Rama ka kërkuar që fjalën e fundit ta thotë drejtësia. Vetë Berisha, e konsideroi ngjarjen “hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës me manipulime”, ndërsa për Greqinë fqinje “nëse nuk ka prova të pa kontestueshme, arrestimi i tij dy ditë para zgjedhjeve përbën një skandal të vërtetë”.