Bota

Ukraina dhe urrejtja Biden-Putin/Një histori 10-vjeçare me disa pikëpyetje!

Joe Biden, Vladimir Putin e Ukraina! Nuk është një histori vetëm e ditëve të fundit, por ekspozimi i muskujve e ka origjinën në kohë më të largëta.

Gjatë presidencës amerikane të Barack Obamës (në vitet 2009-2017), krahu i djathtë i tij sa i përket politikës ndërkombëtare ishte pikërisht Joe Biden, i cili në shkurt të 2014-ës vizitoi Kievin pas protestave popullore në sheshin Maidan. Biden tregonte:

Presidenti Obama më dërgonte në vende ku nuk donte të shkonte.

Menjëherë pas arratisjes së presidentit pro-rus, Yanukovich, Biden shkoi në Kiev, në mbështetje të qeverisë së brishtë ukrainase. Në vitin 2014, Moska i aneksoi Krimenë, Ukrainës. Këtë e bëri me një aksion ushtarak, të cilin nuk e vazhdoi, pikërisht për shkak të “murit” të ngritur nga Biden.

Në atë kohë ishte Biden, i cili çoi përpara politikën e afrimit të Ukrainës me NATO-n. Synimi ishte t’i hiqte Rusisë pushtetin politik dhe ekonomik. Marrëdhëniet me Putinin, asnjëherë nuk kanë qenë të qeta. Analistët amerikanë flasin për një urrejtje mes të dyve.

Ja si e kujton Biden një takim me Putinin:

Kremlin, 9 mars 2011, mbrëmje gala. Joe Biden i afrohet Putinit dhe i pëshpërit në vesh: “Zoti President, po ju shoh në sy e mendoj se ju nuk keni një shpirt!”.

Duke buzëqeshur, Putin u përgjigj: “Unë dhe ti, kuptohemi!”.

Vite më vonë, Biden shkoi në Kiev e bllokoi avancimin e Putinit në Krime. Dy ditë më parë, kur presidenti rus shpalli fillimin e operacionit ushtarak në Ukrainë, deklaroi: “Nuk do të bëjmë dy herë të njëjtin gabim”, çka tingëllon referencë për ngjarjet e 2014-ës.

Familja Biden dhe raportohet ekonomike me Ukrainën

Vitet e fundit, emri i Joe Biden-it është lidhur edhe me një skandal mbi Ukrainën, çka rrezikoi kandidaturën e tij për president. Por, duhet thënë se skandali u çua përpara edhe nga shumë “fake news” të kundërshtarit Donald Trump. Për disa akuza false, ky i fundit u përball me një proces impeachment që vijon.

“Skandali” kishte të bënte me Hunter Biden, djalin e presidentit, i cili në familje konsiderohet “delja e zezë”. Kur ishte në Marinë iu hapën probleme më 2014-ën pasi rezultoi përdorues kokaine. Ndryshe ishte vëllai Beau, premtues në politikë. Ai konsiderohej “pasardhës i Joe”, por fatkeqësisht një tumor i kushtoi jetën në vitin 2015. Ndonëse Hunter Biden nuk dukej me shumë perspektivë në shtëpi, falë diplomës si jurist, fati i ndriti në fushën e konsulencës.

Në prill të vitit 2014, Burisma Holdings, kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, punësoi për konsulencë Hunter Biden-in, me një pagë prej 50 mijë eurosh në muaj. Afrimi i një emri me peshë në bord, padyshim do t’i jepte më shumë rëndësi ndërsa duhet thënë se Ukraina e kompanitë e saj, vazhdimisht janë përmendur për transparencën e dobët e nivelin e lartë të korrupsionit.

Por në mediat amerikane lindën dyshime për faktin se në ato muaj, Joe Biden vazhdoi politikën amerikane që Ukraina të rimerrte kontrollin e atyre zonave të Donbass-it, tashmë të shpallura republika e të njohura nga Rusia. Të pasura me burime gazi, ishin vendosur nën shënjestrën e Burisma Holdings dhe pati një politikë ndërkombëtare të gërshetuar me atë ekonomike.

Vijmë më 2017-ën, vitin në të cilin Donald Trump mori detyrën në krye të Shtëpisë së Bardhë, pasi fitoi presidencialet e 2016-ës përballë rivales demokrate, Hillary Clinton. Zgjedhja e Trump-it, nxorri “jashtë loje”, mikun e Ukrainës, Joe Biden.

Ucrainagate për Joe Biden

Në vitin 2020, Trump kërkonte mandatin e dytë dhe në përpjekje për të diskretituar rivalin Biden gjatë fushatës, ushtroi presion ndaj Ukrainës. Homologut Volodymyr Zelensky i kërkoi të hapte një hetim për djalin e Biden-it dhe marrëdhëniet me Burisma Holdings. Ky hetim do ta vendoste në vështirësi Joe Biden-in. Në një telefonatë me Zelensky-n, Trump la të kuptohej se ndihmat ekonomike e ushtarake ndaj Ukrainës kushtëzoheshin me hapjen e hetimit. Në atë telefonatë, Zelensky nuk dha garanci të forta për hetimin ndërsa për Trump-in ishte fillimi për një impeachment.

Biden e Zelensky, akti i fundit

Dhjetor 2020 – Zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit 2020 u fituan nga Joe Biden. Situata në Ukrainë po nxehej sërish, duke parë se në skenë u rikthye “armiku” i Putinit.

Në një intervistë për New York Times, Zelensky e përshëndeti rezultatin e zgjedhjeve në Amerikë e me tone optimiste shprehej:

Joe Biden e njeh Amerikën më mirë se çdo president tjetër dhe do të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit në Donbass, duke i dhënë fund pushtimit të territorit tonë.

Por, historia e ditëve të fundit, po tregon diçka krejt ndryshe.