Bota

Ukraina, fokusi i takimit Scholz, Macron e Tusk në Berlin!

Mes dallimeve në rritje për Ukrainën, sot në Berlin, kancelari gjerman, Olaf Scholz pret presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin polak, Donald Tusk. Diferencat më të ndjeshme janë ndërmjet Gjermanisë dhe Francës. Fillimisht, Scholz pritet të takohet me Macronin e më tej, dy liderët do të ulen në bisedime me polakun Tusk. Ky do të jetë i pari takim i nivelit të lartë i Trekëndëshit të Vajmarit, që prej qershorit të vitit të kaluar.

Bisedimet mes tyre do të mbahen gati tri javë pas takimit të rreth 20 liderëve qeveritarë në Paris, ku u diskutua lufta në Ukrainë. Konferenca përfundoi me qëndrime të ndara për mundësinë e dërgimit të trupave në zonën e luftës.

Trekëndëshi i Vajmarit u themelua në gusht 1991 nga ministrat e atëhershëm të jashtëm Hans-Dietrich Genscher, Roland Dumas dhe Krzysztof Skubiszewski, në Vajmar të Gjermanisë.

Ky grup ka filluar të takohet më shpesh që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës para pak më shumë se dy vjetëve. Një ditë më parë, Macron përsëri iu bëri thirrje fuqive perëndimore të mos tregojnë shenja dobësie kundër Rusisë, si dhe përsëriti qëndrimin e tij se dërgimi i trupave perëndimore brenda Ukrainës nuk duhet të hidhet poshtë.

Sot, ne nuk jemi në gjendje, por të gjitha këto opsione janë të mundura.

Scholz e pati kundërshtuar qëndrimin e Macronit pas takimit të liderëve në Paris për dërgimin e trupave në Ukrainë. Ai tha se pjesëmarrësit ranë dakord që vendet europiane të mos dërgojnë “trupa tokësore” në tokën ukrainase.

Kujtojmë se Rusia, vendi që ka pushtuar Ukrainën fqinje po mban zgjedhjet presidenciale dhe nuk ka dyshime në fitoren e presidentit rus, Vladimir Putin.

Rusët nisën votimin në zgjedhjet presidenciale, rezultati i të cilave nuk vihet në pikëpyetje. Vladimir Putin e ka pothuajse të sigurt fitoren. Presidenti do ta zgjasë mandatin me gjashtë vjet të tjera, pasi çdo kundërshtar i tij serioz nuk u lejua të garojë nga Kremlini, që po zhvillon një luftë brutale ndaj mediave të pavarura dhe kritikëve.

Zgjedhjet presidenciale zgjasin tre ditë, pra deri të dielën. Nuk pritet të jenë as të lira e as të drejta dhe këto votime janë të parat që mbahen në Rusi që kur shefi i Kremlinit nisi pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. 71 vjeçari Putin, i cili ka qenë president apo kryeministër për gati 25 vjet po garon kundër tre politikanëve pak të njohur.

Ata janë lideri i Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetari i Dumës Shtetërore, Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe ligjvënësi i Dumës së Shtetit, Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste. Qëndrimet e tyre politike, me vështirësi dallojnë nga ato të Putinit.