Bota

Ukraina pret lajme të mira për më shumë armë nga Perëndimi!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se shpreson që aleatët do të ofrojnë armët e duhura, ndërsa forcat ukrainase po tentojnë të pengojnë përparimin e pushtuesve rusë në lindje. Ka raportime për luftime të ashpra në qytetin lindor të Severodonjeckut. Në adresimin më të fundit drejtuar kombit, Zelensky deklaroi vetëm se pret “lajme të mira” sa i përket dërgesave me armë gjatë kësaj jave, por nuk dha më shumë detaje.

Në Donbas, situata ushtarake paraqitet shumë e ndërlikuar. Po luftohet në një numër qytetesh, përfshirë Severodonjeckun dhe Lisiçanksun, dy zonat më të mëdha që janë nën kontrollin ukrainas në rajonin e Luganskut. Raportohet se trupat e Moskës kanë bërë disa përparime ditët e fundit. Artileria ruse goditi rrugën Lishiçansk-Bahmut, që Rusia synon ta mbyllë e të rrethojë forcat ukrainase.

Kievi zyrtar thotë se “Ukraina po arrin në një pikë ku mund të jetë superiore ndaj Rusisë, si në aspektin e teknologjisë, ashtu edhe në të aftësisë për të goditur forcat e Moskës”. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksei Reznikov, bëri të ditur se kanë nisur të pranojnë raketa kundër anijeve, Harpoon nga Danimarka dhe obusë, armë të rënda artilerie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Raketat Harpoon besohet se shmangin sistemet e radarëve. Ato mund të hidhen nga anijet, nëndetëset, avionët apo edhe përgjatë vijës bregdetare. Ukraina shprehet e vendosur t’i përdorë krahas atyre ukrainase Neptun kundër flotës ruse, për të mbrojtur Detin e Zi, përfshirë Odesën, qytetin port.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë pranojnë se kanë zhvilluar disa herë bisedime me ata ukrainas lidhur me kërkesat e Kievit për armë të reja e më të avancuara, që mund të ndihmojnë në zmbrapsjen e forcave ruse në Donbas.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby tha se Uashingtoni është në dijeni të kërkesave të Ukrainës për sisteme raketash të shumëfishta, po shtoi se nuk mund të komentojë rreth një vendimi që nuk është marrë ende. Pavarësisht komenteve jo shumë treguese të Kirby-t, ka disa sinjale se amerikanët mund të jenë gati të dërgojnë në Ukrainë, sisteme raketash të shumëfishta të prodhuara në SHBA, për të ndihmuar në frenimin e ofensivës ruse.