Aktualitet

Unaza e Madhe, hapet për qarkullim porta hyrëse lindore e Tiranës!

Hapet për qarkullim të plotë porta hyrëse lindore e kryeqytetit, nyje që pritet të çlirojë trafikun në zonën e zhvilluar ndjeshëm vitet e fundit. I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e nga drejtori i Autoritetit Rrugor, Evis Berberi, kryeministri Edi Rama ishte në terren për të parë nga afër cilësinë e punimeve.

Zv.kryeministrja Balluku:

Sot mbi 85% e punimeve janë të përfunduara. Nuk jemi më në kushtet e hapjes provizore. Policia e Shtetit mori në dorëzim mbikëqyrjen e aksit dhe mbeten punë të vogla që kanë të bëjnë me gjelbërimin, ndriçimin, me rrugët lidhëse paralele me veprën, që do të përfundojnë sipas kontratës. Kjo është një nyje shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh dhe funksionet që ka. Lidhjen me unazën Lindore, kalimin e të gjithë automjeteve pa bërë më rreth-rrotullimin në drejtim të Elbasanit e të gjithë automjetet që vijnë nga Elbasani për në Tiranë nuk do të bllokohen më.

Sigurisht i shërben dhe pjesës së kësaj qendre, ku tashmë është krijuar një pol ekonomik e ndërtesave të tjera që shërbejnë për zyra. Kështu që këtu kemi një frymëmarrje të re të trafikut. Koha do të shkurtohet për të aksesuar të gjitha degët e tjera të Unazës së Madhe, që ka kompleksitet të shtuar dhe për shkak të shpronësimeve e paketës së kompensimit që po aplikojmë në këtë zonë.

Kreu i ARRSH-së Berberi:

Sa i përket Unazës së Madhe, ka filluar puna me ritme të mira në 5 lote. Pra 2 lote në zonën e Paskuqanit, segmenti që është tek IKV-ja dhe segmenti tjetër që është në zonën e Shkozës. Për shkak të një ndërthurje të madhe të zonave formale me zonat informale, kemi pasur kompleksitet. Ndërkohë, Bashkia Kamëz po ecën shumë mirë, nga 130 objekte të palegalizuara, sot janë vetëm 10 objekte që nuk kanë nënshkruar marrëveshje me bashkinë për t’u trajtuar sipas VKM-së që nxorëm, me tre vite qira e pastaj me marrjen e një banese sociale në pronësi. Nëse në Bashkinë e Kamzës kemi ecur mirë me pjesën e të palegalizuarve, në pjesën tjetër kemi ecur mirë me shpronësimet.

Duke folur për procesin e shpronësimeve në kuadër të projekteve zhvillimore, kryeministri Rama u shpreh:

Çështja është që askush nuk mund ta marrë peng projektin. Formula është shumë pozitive dhe u bënë disa kohë që kemi hyrë në këtë formulë pozitive sepse duam të stimulojmë edhe strehimin social, duam të stimulojmë gjithë qasjen tonë solidare me gjithë grupet shoqërore e absolutisht dikush që është në mes të rrugës, siç ishin dhe ata tek 5 Maji dhe që merr një ofertë bujare, solidare, sociale që pavarësisht se është komplet pa leje, pavarësisht se nuk ka as tokën aty e asgjë, të trajtohet me qera e me një kontratë të qartë që do trajtohet pastaj me strehim social në momentin që do kemi në dispozicion apartamente, sepse futet në një listë ku ka prioritet, të thotë “jo nuk dua”, kjo nuk funksionon.

Siç nuk ka funksionuar as tek Bulevardi i Ri, as tek 5 Maji, nuk ka për të funksionuar as aty. Po t’i pyesësh sot pjesën dërmuese të atyre që pengojnë këto zhvillime, e kuptojnë që kanë humbur kohë dhe kanë stresuar veten e familjen kot, sepse janë realisht të sistemuar siç u është dhënë jo fjala, por marrëveshja në dorë. Nuk mund ta mbajmë ne peng gjithë këtë qytet për njerëz që kujtojnë se me gjuhën e forcës dhe duke qenë komplet në paligjshmëri e të stimuluar politikisht, mund të bëhen pengesë, faktikisht bëhen thjesht pengje që përdoren për sherrin e radhës.