Bota

Ushtria izraelite në spitalin Al-Shifa në Gaza, akuza për viktima e të plagosur!

Ushtria izraelite njoftoi se trupat e saj kryen kontrolle në godinat e spitalit Al-Shifa në Gaza, në një operacion për të cilin autoritetet shëndetësore palestineze thanë se “ka rezultuar me shumë viktima dhe me një zjarr të madh në njërën prej ndërtesave”. Ushtria raportoi se ushtarët kryen “operacion të saktë” dhe shtuan se janë përballur me të shtëna me armë zjarri kur hynë në mjediset e spitalit. Në një deklaratë zyrtare, thuhet:

Trupat janë përgjigjur me armë zjarri dhe zonat nga ku erdhën sulmet u identifikuan. Trupat tanë janë duke vazhduar aksionin në zonën e spitalit.

Sipas ushtrisë izraelite, “operacioni është zhvilluar pas sigurimit të informacionit që spitali është përdorur prej liderëve të lartë të Hamasit”. Siç dihet, Hamasi, grup radikal palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se “zjarri ka shpërthyer në hyrje të kompleksit, duke lënduar disa gra dhe fëmijë”.

Komunikimet me spitalin u ndërprenë dhe disa persona u bllokuan brenda mjediseve të Kirurgjisë dhe Urgjencës. Ka viktima, të vrarë e të plagosur dhe është e pamundur që të shpëtohet dikush për shkak të intensitetit të zjarrit dhe goditjes ndaj kujtdo që iu afrohet dritareve. Forcat izraelite po kryejnë një tjetër krim kundër institucioneve shëndetësore.

Ushtria izraelite shtoi edhe se “trupat janë udhëzuar për rëndësinë e veprimit me kujdes, si dhe për masat që duhet marrë për të shmangur dëmtimin e pacientëve, civilëve, stafit mjekësor e pajisjeve mjekësore. Pacientëve nuk iu është kërkuar të evakuohen”.

Hamasi deklaroi:

Ushtria izraelite është duke kryer një tjetër krim, duke shënjestruar ndërtesat e spitalit, pa e vrarë mendjen për pacientët, stafin mjekësor dhe personat e zhvendosur që janë strehuar aty.

Spitali Al-Shifa është një prej qendrave të pakta shëndetësore që kanë mbetur funksionale në enklavën e rrethuar dhe prej kohësh, ushtria izraelite ka akuzuar Hamasin për përdorimin e tij si bazë luftëtarësh. Hamasi dhe zyrtarë të spitalit i hodhën poshtë akuzat.

Ushtria izraelite e nisi ofensivën tokësore dhe ajrore në Gaza, pas militantët e Hamasit vranë rreth 1.200 njerëz në jug të Izraelit, më 7 tetor të vitit të kaluar, si dhe morën peng rreth 240 persona. Autoritetet shëndetësore në Gaza thonë se mbi 31 mijë palestinezë janë vrarë që prej nisjes së ofensivës.