Bota

Varianti Omicron i koronavirusit, simptoma të lehta, por të moshuarit e të sëmurët rrezikohen!

Varianti i ri Omicron i koronavirusit shkakton sëmundje të lehtë, pa simptoma të mëdha, por të moshuarit e të sëmurët kronikë janë të rrezikuar!

Angelique Coetzee, presidente e Shoqatës së Mjekëve të Afrikës së Jugut, vendi nga ku vjen ky variant dhe që e ka izoluar:

Mundësia e një varianti të ri u shfaq disa ditë më parë në Pretoria. Pacientët shfaqnin simptoma që fillimisht nuk dukeshin ato karakteristiket si të COVID-it. Njerëz të të gjitha etnive u paraqitën me një ndjenjë lodhjeje, fëmijët me rrahje të shpejta zemre, pa shfaqur askush një nga simptomat më tipike të infeksionit të ri me koronavirus, pra humbjen e shijes dhe nuhatjes. Simptomat e tyre ishin shumë të ndryshme e më të lehta nga ato që kisha trajtuar më parë.

Coetzee shpjegon se pacientët e saj nuk kishin simptoma të rënda, ishin mirë, por shprehu shqetësimin për të moshuarit, të cilët janë më të prekshëm, veçanërisht nëse kanë sëmundje të zemrës ose diabet.

Ajo për të cilën duhet të shqetësohemi është se njerëzit e moshuar dhe të pavaksinuar infektohen me variantin e ri (Omicron). Dhe nëse nuk vaksinohen, do të shohim shumë njerëz me forma të rënda të sëmundjes.

Në Europë ka një shqetësim në rritje për variantin e ri afrikano-jugor dhe pas evidentimit të rasteve në Belgjikë, Gjermani, Britani e Itali po ashpërsohen masat. Në veçanti, ekspertët druhen se Omicron mund të jetë rezistent ndaj vaksinave aktuale kundër koronavirusit. Kompania amerikane Moderna shprehet gati të punojë për një vaksinë të re në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndërkaq, në Austri edhe këtë fundjavë pati protesta kundër vaksinimit të detyrueshëm. Në një tjetër zhvillim, qytetarët zviceranë i thanë “Po” kalimit të gjelbër, i quajtur ndryshe Green Pass. Të paktën 63% votuan në favor, në referendumin për ligjin që parashikon futjen e certifikatës anti/COVID-19. Edhe në qershor të këtij viti, zviceranët kishin shprehur mendimin e tyre mbi çështjen e formulimit të një ligji për koronavirusin, duke e miratuar me mbi 60% të votave.