Aktualitet

Varianti Omicron, OBSH e klasifikon me rrezik shumë të lartë!

Rreziku global i variantit të ri të koronavirusit, Omicron, klasifikohet si “shumë i lartë” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, edhe pse deri tani nuk raportohet asnjë vdekje e lidhur me këtë variant, të evidentuar në Afrikën e Jugut. Në një dokument të publikuar sot, agjencia e OKB-së thekson gjithashtu, se shkencëtarët dinë ende shumë pak mbi mënyrën si Omicron do të ndikojë në rrjedhën e pandemisë. Sipas OBSH, nëse ka një rritje të mprehtë të infeksioneve për shkak të këtij varianti, “pasojat mund të jenë të rënda”, sidomos në vendet ku pak njerëz janë vaksinuar, të cilët mund të preken rëndë.

Në një deklaratë, OBSH thekson se “Ekziston pasiguri thelbësore në lidhje me transmetueshmërinë e Omicron, potencialin e imunitetit (nga infeksioni ose imuniteti i shkaktuar nga vaksina), paraqitjen klinike, ashpërsinë e sëmundjes dhe përgjigjen ndaj kundërmasave të tjera të disponueshme (diagnostifikimi, terapia). Vlerësimi i OBSH-së bazohet, ndër të tjera, në faktin se Omicron, që u zbulua në Afrikën Jugore, ka një sërë mutacionesh që kanë çuar në një rrezik më të lartë të infeksioneve të përsëritura te pacientët e rikuperuar nga variante tashmë të njohura.

Por, për mjekët në Afrikën e Jugut, alarmi që jepet lidhur me Omicron-in është i ekzagjeruar dhe reagimi, jo i duhuri. Sipas tyre, “deri tani kanë parë pacientë me simptoma të lehta, të cilët janë shëruar, pa patur nevojë të shtrohen në spital e të marrin oksigjen”.

Për shkak të Omicron-it, Australia vendosi të mos hapë të mërkurën kufijtë për punëtorët e kualifikuar e studentët. Sipas kryeministrit Scott Morrison, “bëhet fjalë për një vendim të nevojshëm e të përkohshëm”.

Ndërkaq, për presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, “shpirti i aksionit kolektiv është e vetmja përgjigje e fortë për të mposhtur pandeminë”.

Vetëm përgjigjet kolektive, efikase e të menjëhershme mund të funksionojnë kundër virusit. Nuk mund të qëndrojmë duarkryq, kemi përpara detyra urgjente!