Aktualitet

Vatrave të zjarrit në vend i shtohet një e re në Parkun e Tomorrit!

Ministria e Mbrojtjes njofton për situatën më të fundit lidhur me vatrat e zjarrit që herë pas here vihen nën kontroll apo të tjera që shtohen në vend.

Në Vlorë, vijon aktive ajo në fshatin Dukat i Ri, në Gadishullin e Karaburunit që paraqitet rrezikshmëri, pasi ka përhapje në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë. Në mëngjes, rinisi operacioni edhe nga ajri.

Pavarësisht punës së pandërprerë, tjetër vatër kritike është ajo në Kukës, në Majën e Runës, mbi tunelin e Kalimashit. Synohet që flakët të mbahen nën kontroll, që të mos kërcënojnë banesat.

Në fshatin Thirrë në Fan të Mirditës zjarri nuk paraqet rrezik për shtëpitë dhe nuk ndalen përpjekjet për ta shuar. Po në veri, flakët në Munellë-Domgjon janë izoluar vetëm në njërin krah.

Në Korçë, raportohet se nga dje po punohet për shuarjen e flakëve në masivin me pisha në fshatin Krushovë, në njësinë administrative Voskopojë. Aty janë shtuar forcat operacionale sikurëse në Patalej të Mirditës ku po digjen shkurre.

Në fshatin Çorrush në Mallakastër u izoluan dy vatra por tre të tjera mbeten aktive për shkak se ndodhen në terren të vështirë. Në Bogë të Malësisë së Madhe u aktivizua një vatër që nuk paraqet rrezik për banesat.

Për rënie zjarri njoftohet edhe në Parkun e Tomorrit në Berat, në lartësinë mbi 1500 metra e situata po ndiqet nga forcat vendore.

Ministria e Brendshme deklaron se në tre ditët e fundit janë 13 persona të proceduar për zjarrvënie, të cilët do të përballen me drejtësinë. Ndërkaq efektivët po vijojnë punën për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të zjarrvënësve në të gjithë territorin.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.