Aktualitet

Vdekja e 4 rusëve në Qerret, pezullohen përkohësisht hetimet/Prokuroria pret përgjigje nga Rusia!

Në pritje të përgjigjes për letërporosinë nga autoritetet ruse, Prokuroria e Durrësit pezullon përkohësisht hetimet mbi vdekjen e mistershme të katër shtetasve rusë në Qerret, në tetor të vitit 2021. Për Top Channel, burime nga grupi hetimor i çështjes, konfirmuan:

Hetimet janë në vazhdim, por pritet përgjigja e letërporosisë nga rusët, ndaj janë pezulluar përkohësisht.

Përmes letërporosisë, akuza shqiptare kërkon informacion mbi të kaluarën e shtetasve rusë që u gjetën pajetë në vjeshtën e vitit 2021, si dhe për rezultatet e autopsisë së tyre, përfshirë informacione të tjera që mund të ndihmojnë hetimin dhe zbardhjen e vdekjes së dyshimtë.

Mbrëmjen e 15 tetorit 2021, në pishinën dimërore të një hoteli buzë detit, u gjetën të pajetë Sergei Burenkov, 60 vjeç, bashkëshortja e tij Natalia Burenkova, 58 vjeçe, vajza e tyre Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe partneri i saj Nikita Belousov, 37 vjeç. Janë të paqarta rrethanat që çuan në vdekjen e tyre, të rrethuar nga misteri. Dyshimi kryesor mbetet vdekja nga asfiksia në prani të një substance ende të papërcaktuar nga hetimet e deritanishme.   Disa javë pas ngjarjes u krye dhe një eksperiment hetimor në ambjentet e SPA-së së hotelit e pikërisht në zonën e pishinës ku u gjetën të vdekur katër rusët.

Sipas Mjekësisë Ligjore, vdekja e njëkohshme e Sergeit, Natalisë, Ekaterinës e Nikitës erdhi nga asfiksia, po pa arritur të përcaktohen shkaqet. Gjatë hetimit, punonjësi i mirëmbajtjes Ndriçim H. pati deklaruar se kishte hedhur sasinë e zakonshme për klorifikimin e ujit. Gjatë eksperimentit, u synua krijimi i të njëjtave kushte në mjediset e pishinës, e njëjta nxehtësi dhe sasi e nivelit të klorit në ujin e saj. Kjo për të kuptuar reaksionet e mundshme kimike, për të sqaruar dyshimet nëse krijoheshin kushtet nga këta faktorë për të çuar në asfiksi vdekjeprurëse për katër persona njëkohësisht.

Të premten e 15 tetorit 2021, rreth orës 22:00, katër turistët rusë pasi u kthyen nga një vizitë në Ohër, zbritën në katin e nëndheshëm të hotelit për t’u larë në pishinë. Ata e kishin rezervuar këtë shërbim me telefon. Gjatë hetimeve të para, Mjekësia Ligjore pati përjashtuar dyshimet se viktimat kishin përdorur lëndë psikotrope.