Aktualitet

Vdekja nga COVID-i e 5-vjeçarit nga Saranda, flet babai: “Më thonin e ka virozë!”

Babai i 5-vjeçarit që humbi jetën nga COVID-19 rrëfen gjithçka, që kur i biri u shtrua në spitalin e Sarandës, deri te dërgimi me helikopter në Tiranë, ku u fut në intubim. Në mesazhin e dërguar në rubrikën “Ti Raporton” në Top Channel, Alket Halili shpjegon se fillimisht, mjekët i thonin se djali kishte virozë dhe askush nuk e kuptoi se një nga mushkëritë i kishte dalë jashtë funksionit. Madje, infeksioni kishte avancuar, duke i prekur edhe mushkërinë tjetër. Më pas, e dërguan me helikopter në Tiranë, ku hyri në intubim e ndërroi jetë.

Djalin tim e kam dërguar për tre ditë rresht në Pediatrinë e Sarandës, ku asnjë doktor nuk e kuptoi që fëmija im kishte problem dhe thonin se është virozë. Djali sa vinte e përkeqësohej. E çova përsëri në pediatri dhe isha lidhur me doktor Ptomeleo Peta, i cili ma ndiqte djalin që të vogël, i bëri grafi. Na tha se nuk ka gjë nga mushkëritë, kur djalit tim i qe mbushur mushkëria e majtë plot me qelb dhe i kishte dalë jashtë funksionit, plus i qe infektuar pak edhe e djathta.

Duhej të vinte doktor Niko Kuri që t’i bëhej skaner djalit. Pas skanerit, na dërguan me helikopter në Tiranë, ku djali im ka shkuar në datë 18 tetor. Një ditë më vonë u intubua dhe nga intubimi nuk u zgjua më. Djali doli nga spitali i vdekur, në datën 25 tetor në darkë.

Babai thekson se kërkuan ta dërgonin djalin në Turqi, por mjekët nuk e lejuan, duke i thënë se nuk e merr njeri përsipër, pasi mushkëria e majtë i kishte dalë jashtë funksioni.

Djali im nuk ka lëvizur asnjë ditë nga reanimacioni i Pediatrisë të Nënë Terezës, për të shkuar në Turqi. Si prindër, kërkuam ta largonim djalin në Turqi, por doktorët e reanimacionit na thanë që nuk e lëvizni dot sepse nuk ka spital që ta marrë përsipër djalin, pasi një mushkëri i kishte dalë jashtë funksionit nga qelbi. Nuk dua të luhet me shpirtin e djalit tim që po ha dhe’. Nuk dua të përfitojë njeri nga djali im, prandaj edhe pse më dhemb shpirti, nuk mund ta lë me kaq!

Sa i përket tamponit për COVID, Alket Halili sqaron se testet e kryera në Sarandë i dolën negativë ndërsa në Tiranë, me dy rezultate:

Kemi bërë dy teste për koronavirus në Sarandë dhe doli negativ. Bëmë edhe në Tiranë me të njëjtin kampion gjaku, një në shtet, një në privat. Në shtet doli pozitiv, në privat negativ.