Aktualitet Politikë

Veliaj: Kandidatët kundërshtarë, fushatë me ide të majta për disa vota!

Në Njësinë nr.10 në kryeqytet, kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti Fatmir Xhafaj shpërndanë certifikata mirënjohjeje për socialistët me kontribut të veçantë ndër vite. Veliaj deklaroi:

Partia Socialiste ka fituar 8 nga 9 betejat e fundit, rekord që nuk e ka asnjë parti tjetër në rajonin tonë apo në Europë. Jemi e vetmja parti që mirënjohjen e kemi në statut, ku mirënjohja, respekti e vlerësimi publik për të gjithë ata njerëz që dhanë një kontribut në këto fitore po materializohet. Sot fillojmë një traditë që dua ta vazhdoj në të gjitha njësitë. Ju jam vërtet mirënjohës për kontributin.

Veliaj tha se “është bërë aq e modës të jesh i majtë se edhe kandidatët për zgjedhjet e 14 Majit janë pothuajse të gjithë të majtë”.

E keni vënë re, në këtë fushatë pothuajse të gjithë kandidatët janë të majtë. Kemi kandidatë nga Partia Socialiste, kemi një nga Partia Komuniste, kemi një nga një lëvizje marksiste, kemi një që hiqet sikur është me Saliun, por u regjistrua me LSI-në. Pra, këtu të gjithë kandidatët, formalisht janë të majtë. Kjo është një ditë e mirë për të majtën, kur edhe kundërshtarët tanë më të paepur regjistrohen si të majtë. E kishit menduar se një ditë, edhe Flamur Noka do regjistrohej si anëtar i Partisë Komuniste vetëm për të futur një kandidat në Tiranë?!

Veilaj shtoi se “ata e dinë që nuk fitojnë”, ndërsa deputeti Xhafaj tha se “vlerësimin dhe mirënjohjen Partia Socialiste i ka edhe në statut”.

Ky është eventi i parë që organizohet për t’ju shprehur mirënjohjen përmes një certifikate të nënshkruar nga kryetari i PS-së Tiranë, Erion Veliaj. Dua ta falenderoj shumë Erionin që ndërmori nismën, që jetësoi këtë normë statutore, që përmes kësaj certifikate po shpreh nderimin, respektin për kontributin tuaj, por edhe juve për kontributin e mbështetjen që vazhdoni t’i jepni PS-së.