Aktualitet Politikë

Vendoret e 14 majit, ambasadorja Kim takime me Gjiknurin, Alibeajn, Metën!

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim po takon Enkelejd Alibeajn në Kryesinë e Kuvendit, pas vendimit të Apelit për vulën e PD-së duke rikthyer çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë. Më herët, Kim ishte në selinë e Partisë Socialiste, për një takim me Sekretarin e Përgjithshëm, Damian Gjiknuri. Po ashtu, diplomatja e Uashingtonit do të takojë kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.  Takimet vijnë para zgjedhjeve vendore të 14 Majit.

Në një tjetër zhvillim, sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gratë ambasadore në vendin tonë nderojnë ato që luftuan për të drejtën e votës së grave.

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, e Francës, Elisabeth Barsacq, e Suedisë, Elsa Hastad, e Izraelit, Galit Peleg, e Zvicrës, Ruth Haber, ambasadorja e Polonisë, Monika Zuchniak-Pazdan, e Greqisë, Konstantina Kamitsi, koordinatorja e përhershme e OKB-së, Fiona Mccluney, si dhe përfaqësuesja e UNDP, Monica Merino, u bënë thirrje të gjitha grave në Shqipëri të votojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Në mesazhin e diplomateve theksohet:

Më 14 maj shqiptarët shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre vendorë. Këto zgjedhje u japin qytetarëve të drejtën për t’u shprehur se si duhet të qeveriset komuniteti i tyre dhe mundësinë për të kërkuar llogari zyrtarëve përgjegjës për punën e tyre. Në ditën ndërkombëtare të gruas ne kujtojmë ata që luftuan fort për të drejtën e grave për të votuar.

Ambasadoret u kërkojnë grave të përdorin votën e tyre për të kërkuar llogari më pas për mënyrën se si ato qeverisen.

Secili prej nesh ka një arsye për të votuar, për arsimin dhe për shëndetin, për punë dhe mundësi ekonomike, për kopshte, parqe dhe kënde lojërash, për shërbime sociale dhe të aksesueshme, dhe ndihmë për ata që kanë mbetur pas, për ajër të pastër, gjelbërim dhe ujë të pijshëm nga rubineti. Jepini votës tuaj vlerë për shërbime më të mira lokale. Përdorni votën tuaj!