Aktualitet Politikë

Vendoret e 14 Majit, drejt përfundimit afati i regjistrimit të emrave/Pritet vendim nga PD e Alibeajt!

Për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, mesnata e ditës së hënë shënon fundin e afatit për regjistrimin e kandidatëve për kryebashkiakë dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KQZ. Siç është bërë e ditur më herët, Partia Socialiste vendosi ditën e sotme për të zyrtarizuar emrat për garën e lokaleve. Disa prej atyre që janë në detyrë duket se do të rikandidohen, ndërsa priten edhe ndryshime.

Mësohet se Qarku Tiranë nuk do të ketë ndryshime, duke i dhënë shansin për rikandidim pesë kryebashkiakëve aktualë, mes tyre Erion Veliaj në kryeqytet. Ndërkaq, vazhdon shqyrtimi për emrat në disa bashki, përfshirë ato të Himarës, Divjakës apo të Kuçovës. Për Bashkinë e Bulqizës ende nuk ka informacion. I arrestuar më 16 mars, kryebashkiaku Lefter Alla u shkarkua nga kryeministri Rama, për shkelje të rënda. Alla i quajti “politike” akuzat kundër tij.

Nuk ka dyshime se më e paqartë paraqitet situata në kampin opozitar. Për shkak të përçarjes së thellë e luftës së brendshme, ende nuk ka një vendim nga Partia Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn e nuk dihet si do të përfaqësohet në zgjedhjet e 14 Majit.

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, demokratët u shfaqën të ndarë, ku një pjesë kërkoi të dilet vetëm me lista për këshilla bashkiakë e mësohet se këtë qëndrim e përkrahin Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Dash Sula, Saimir Korreshi e Bledion Nallbati.

Por, të tjerë me në krye Alibeajn thanë se duhet të nxjerrin edhe kandidatë për kryebashkiakë në votime. Alibeaj tha se i ka gati emrat për 61 bashki. Në të njëjtën linjë qëndrimi me të janë deputetët demokratë Oriola Pampuri, Flutura Açka, Arbi Agalliu e Kreshnik Çollaku.

Koha nuk pret e përballë presionit të saj, PD-ja e Alibeajt duhet të vendosë ndërsa vendimi përfundimtar duket se do të merret këtë të shtunë.

Në orën 11:00 mblidhet Kolegji i Kryetarëve, më 15:00, Alibeaj do të zhvillojë një takim me kandidatët e mundshëm për kryebashkiakë e këshilla, ndërsa më 18:00, mblidhet Kryesia. Pas këtyre takimeve, me gjasë do të komunikohet një vendim.