Celebrities Film & Tv

“Venom: Let there be Carnage” Si të shpërdorosh Tom Hardy-n, Woody Harrelson dhe Michelle Williams në tre lëvizje. Kritikë.

Si fillim bëj një vazhdim të “Venom” (2018), tërësisht të panevojshëm.

Bota e superheronjve të ekranit të madh sa vjen edhe shtohet. Dikur nuk kishte kohë për më shumë se disa syresh, por tani edhe personazhet më tretësore të librave komik po marrin filmat e tyre me buxhet të madh. Rregullat po shkruhen dhe ri-shkruhen në një përpjekje për të mjelë xhepat e kinema-dashësve. Në 2018, të gjithë kuriozët e panë Venom, disa prej Tom Hardy-t disa prej Michelle Williams, disa për arsye të tjera dhe duhet ta pranojmë, ishte argëtues;

Ishte ironik me filmat e superheronjve duke qënë vetë një i tille, me një kast fantastik aktorësh, Williams, Riz Ahmet, Jenny Slate dhe Melora Walters që shoqëronin historinë e gazetarit Eddie Brock [Tom Hardy] i cili bashkëjeton në të njëjtin trup me alienin/përbindësh Venom. Dhe mbas suksesit të hatashëm në salla, 850 milionë dollarë në të gjithë botën, regjisori që ja doli të kthente një film të zhanrit në masiv, Ruben Fleischer, u zëvendësua nga Andy Serkis. Serkis dhe skenaristi i rikthyer Kelly Marcel kanë ruajtur lehtësinë e filmit, por kanë humbur thuajse çdo gjë tjetër.

Protagonisti, Tom Hardy, përpiqet me mish e me shpirt të justifikojë pagesën e tij të kripur për filmin. Duke mos ju kërkuar shumë psikopati në lojën e tij, shpesh pengohet në budallallëk. Pa dashur të tregojmë shumë nga konflikti i ri i filmit i cili mund të jetë parë nga shumë prej jush, si një nga highlight-et e vitit të shkuar dinamika e Venom/Eddie-t nis të bëhet një gjellë e cila ka ndenjur gjatë jashtë në pjatë e ka filluar të ftohet. Një nga skenat më të ‘veçanta’ është ajo e deklarimit të Venom – ose siç quhet ndryshe coming out. Edhe pse materiali është i shkurtër dhe ambig skena e vendosur në një festival të LGBTQIA e tregon personazhin në një hije tjetër duke ja shtuar kompleksitetin.

Hardy, ndërkaq, është i pambështetur nga aktorët e tjerë (shumë të talentuar) të cilët thjesht janë paguar mjaftueshëm sa për një shtëpi plazhi duke e patur mendjen më shumë aty sesa tek modelimi i personazhit të tyre që në tërësi është i cekët. Edhe pse Harrelson thërret disa nga elementët e hitit të tij të  1994 “Natural Born Killers” (Oliver Stone), marrja e tij për rolin e Cletus Kasady tingëllon e gabuar. Williams nga ana tjetër duket sikur fle gjumë në skenat e pakta që ka, dhe vjen në një fund gjithë xixa-buba por fare pa energji.

E mira e filmit është se është i shkurtër. Më shumë se “Le të bëhet Kasaphanë” (Let there be cargage) Serkis ka kuptuar (dhe mirë ka bërë) që “Le të jetë i shkurtër” ose më mirë akoma “Le mos ketë më fare”.