Rajoni

Veseli në Hagë: E them me bindje të plotë, jam i pafajshëm!

Ish kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli doli sot para Dhomave Speciale me seli në Hagë. Në seancën publike, ish kreu i PDK-së u deklarua i pafajshëm. Akuza ndaj Veselit është e njëjtë si ajo ndaj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit dhe përmban 10 pika, përfshirë vrasje, tortura, akte çnjerëzore e rrëmbime. Gjatë luftës së Kosovës, Veseli ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ndërkohë nesër në orën 11:00 del para Hagës ish kreu i grupit parlamentar të Vetvendosjes Rexhep Selimi.

Kreu i grupit socialist, Taulant Balla ndërmerr nismën e ngritjes së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për të hetuar të gjitha pretendimet për ekzistencën në veri të Shqipërisë të burgjeve të UÇK-së.  Gjithashtu ato të Dick Marty-t për Shtëpinë e Verdhë, akuza që nuk u vërtetuan asnjëherë ndërsa do të përfshihen personat të cilët i kontribuan ligjërimit të këtyre pretendimeve të zviceranit, i cili ka qenë anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Balla në mënyrë të vazhdueshme i ka kërkuar sqarime kreut demokrat Basha se çfarë kontributi ka dhënë si pjesë e UNMIK-ut në hartimin e dosjeve kundër luftëtarëve të UÇK-së. Kreu i grupit socialist thotë se “Basha futi fshehurazi si turist në vendin tonë, ekspertin e OKB-së që në Kukës kërkonte për burgjet e UÇK”-së.