Aktualitet

Vetëm 13.3% e atyre që humbën patentën arritën ta rimarrin pas testimit!

Nga 848 riregjistrime në autoshkolla të personave që humbën pikët e patentës për shkak të shkeljeve, një përqindje e ulët arriti ta rimarrë e të kthehet në rrugë si drejtues mjeti. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bëri me dije se zbatimi i akteve ligjore të 2022-it që ashpërsonin masat ndaj personave që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ka bërë që riedukimi të mos rezultojë me marrjen e lejes së drejtimit nga të gjithë ata që humbën.

Të gjithë ata që konsiderohen kontigjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, pas heqjes së pikëve të patentës, me aktet e reja në fuqi prej mbi një viti tashmë, për të rifituar të drejtën e drejtimit të mjetit, duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë.

Vetëm 113 persona nga 848 riregjistrime në autoshkollë për shkak të heqjeve të pikëve të patentës, e kanë rifituar lejen e drejtimit gjatë periudhës qershor 2022-janar 2024.

Në seancën e fundit të zhvilluar, nga 25 riregjistrime, u paraqitën 14 kandidatë ku vetëm 2 prej tyre rezultuan fitues. 848 riregjistrime në autoshkolla dhe vetëm 13.3% prej tyre kthehen në rrugë si drejtues mjeti, kësaj here akoma më të përgjegjshëm.

Sipas kuadrit ligjor, të gjithë shtetasit e pajisur me leje drejtimi para datës 16.04.2015, që janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Drejtuesve të Mjeteve, kanë përfituar në sistem 20 pikë. Drejtuesve të mjeteve që janë bërë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Drejtuesve të Mjeteve pas datës 16.04.2015, numri prej 20 pikësh iu jepet në datën që bëhen pjesë e këtij regjistri.

Heqja e pikëve bëhet automatikisht në sistem, në bazë të njoftimeve për shkelje të  të normave të sjelljes siç është parashikuar në Kapitullin V të Kodit Rrugor.

Sipas kuadrit ligjor në fuqi, të gjithë ata që humbasin pikët e patentës janë të detyruar që të kthehen në autoshkollë dhe të ndjekin kursin normal teorik e praktik të riedukimit ndërkohë që pas përfundimit do të duhet që t’i nënshtrohen testit njëlloj si çdo i regjistruar për herë të parë. Testi i teorisë, bazuar në norma sjelljeje është me 30 pyetje dhe me më shumë se tre gabime nuk kalon. Masat për riedukimin e shoferëve problematikë synojnë disiplinimin e tyre në rrugë./Monitor