Aktualitet

Vijon numërimi, rreth 5% e votave të pavlefshme deri tani

Me numërimin deri tani të votave në mbi 1 mijë e 700 qendra nga 5 mijë e 199 në total, vazhdon të kryesojë Partia Socialiste e ndjekur nga koalicioni PD-AN e LSI-ja. PS rezulton forcë e parë në 9 qarqe, PD-AN në 3.

Krahas numërimit elektronik në Njësinë nr. 10 në Tiranë ku fitoi PS dhe Fatmir Xhafaj mori pesëfishin e votave të Lulzim Bashës, procesi ka përfunduar edhe në bashkitë Përmet, Himarë, Poliçan, Këlcyrë, Memaliaj e Has por për subjektet politike.

Në Përmet, Himarë, Poliçan, Memaliaj e Këlcyrë, forcë e parë doli Partia Socialiste ndërsa në të Hasit, koalicionit Partia Demokratike-AN.

Nga informacionet më të fundit që datojnë orën 10:00 raportohen mbi 24 mijë vota të pavlefshme nga 448 mijë në total, pra rreth 5%.