Aktualitet Rajoni

Viktima dhe raste ditore nga COVID-19; rekord të shëruarish

Vijon të jetë optimiste situata e pandemisë në vend. Ministria e Shëndetësisë  konfirmoi se në 24 orët e fundit nga COVID-19 janë shënuar 3 viktima dhe 42 raste të reja.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 9 raste në Tiranë, 4 raste në Devoll, Pogradec, 3 raste në Korçë, Lushnje, 2 raste në Shkodër, Durrës, Vlorë, Gramsh, Skrapar, 1 rast në Fier, Elbasan, Kukës, Kavajë, Mirditë, Berat, Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj.

Janë mbi 1 mijë të shëruarit ditorë, ndërkohë që në spitale po trajtohen 88 pacientë nga të cilët 8 janë në terapi intensive dhe 4 të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u drejtohet qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë shenjë të sëmundjes dhe të kontaktojnë për çdo dyshim me mjekun e familjes për të kryer testimin si dhe për ndjekjen dhe trajtimin ambulator në banesë. Telefononi në numri 127 të Urgjencës Kombëtare për çdo emergjencë apo referim në spital.

Ndërkaq, 4 viktima dhe 113 raste të reja me koronavirus u konfirmuan sot edhe në Kosovë. Të prekurit ditorë rezultuan pas testimit të 1 mijë e 678 personave, që do të thotë se 6 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë, shifër relativisht më e lartë se një ditë më parë, kur ishte 3%.

Shifrat e sotme e çojnë numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Kosovë në 106 mijë e 651, të viktimave në 2 mijë e 217 dhe të të shëruarve në 98 mijë e 539. Aktualisht raste aktive janë 5 mijë e 895.