Aktualitet

Vjedhje në një qendër tregtare në Tiranë, 1 në pranga/Tre të mitur nën hetim!

Pranga një 29-vjeçari, dyshohet se me tre të mitur ka kryer vjedhje në një qendër tregtare në kryeqytet. Policia arrestoi shtetasin me iniciale E.H e vuri nën hetim tre të dyshuarit e tjerë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur produkte të ndryshme, në qendrën tregtare, ndërsa produktet e vjedhura janë sekuestruar si provë materiale.

Në një tjetër zhvillim, në kuadër të operacionit të koduar “Sundimi i ligjit”, Policia e Shkodrës vuri në pranga një shtetas të shpallur në kërkim, i identifikuar si Seadet Myftija. Sipas bluve, 28-vjeçari është i dyshuar për shkatërrim prone me eksploziv, shkatërrim prone me mjete të forta, plagosje me dashje dhe vjedhje.

28-vjeçari u ndalua sepse nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, rezultoi se:

-më datë 31.05.2023, ka goditur me sende të forta një shtetas dhe ka shkatërruar automjetin e tij.

-më datë 29.06.2023, në lagjen “10 Korriku”, dyshohet se ka vënë lëndë eksplozive në portën e banesës së një shtetasi dhe ka vjedhur motomjetin e një shtetasi tjetër;

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Shkatërrimi i pronës”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Vjedhja”.