Aktualitet

Vjen “Pajisja inteligjente”, gjoba e Policisë iu “troket” në shtëpi shoferëve shkelës!

Në akset e vendit do të vendosen pajisje inteligjente, që non-stop monitorojnë lëvizjen e mjeteve në rrugë, duke regjistruar shpejtësinë e targën, si edhe zbatimin e rregullave të tjera si vendosjen e rripit të sigurisë, apo përdorimin e celularit në timon.

Një e tillë, prodhim gjerman, u prezantua sot në një nga segmentet që lidh Tiranën me Elbasanin e në një orë, regjistroi 305 raste shkeljesh të përdoruesve të mjeteve. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi:

Eshtë teknologjia e fundit që përdoret sot në vendet perëndimore, pajisje që kap në mënyrë të pandërprerë të gjitha shkeljet që ndodhin në një segment rrugor të caktuar në 4-6 korsitë, nëse do të kemi rrugë me 6 korsi. Eshtë një pajisje që punon në mënyrë të pavarur, ditën dhe natën, që nuk ka asnjë ndikim njerëzor apo subjektiv të gjykimit të shkeljes. Në mënyrë automatike e regjistron shkeljen dhe e çon në kohë reale në qendrën e përpunimit, në Drejtorinë e Policisë Rrugore.

Të dashur përdorues mjetesh, kjo është një aparaturë që nuk të krijon mundësinë t’i shpëtosh shkeljes, pavarësisht se mund të njohësh ministrin, kryeministrin, deputetin apo këdo qoftë. Gjoba do të vijë në bazë të regjistrimit të targës, që bëhet nga aparatura me foto e video. Do t’ju vijë në shtëpi, aty ku keni deklaruar adresën, ku keni regjistruar mjetin tuaj. Tashmë nuk ka më mik!

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se shoferëve kundërvajtës, gjoba iu dërgohet përmes Postës Shqiptare, brenda 30 ditëve nga konstatimi.

Kjo na e jep në video, në foto çdo drejtues automjeti, jep “location”, targën e mjetit, kohën reale kur ka qenë shkelja. Fotot janë me infra, për natën, për ditën, si dhe kap deri në gjashtë korsi. Pajisja do të jetë 24 orë aktive. Identifikimi bëhet nëpërmjet targës, gjejmë adresën e pronarit të mjetit dhe ia dërgojmë gjobën së bashku me fotografinë e kundërvajtësit, me ditën, orën, vendin ku është konstatuar shkelja.