Rajoni

Vjosa Osmani: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me njohjen reciproke!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se procesi dialogut në Bruksel duhet të përmbyllet me njohjen reciproke Kosovë-Serbi.

Deklaratën lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, presidentja e bëri gjatë takimit të sotëm me një delegacion të Parlamentit Evropian të udhëhequr nga raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Sipas mediave lokale, në takim theks i veçantë është vënë në perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Evropian për vendin ndër vite, si dhe për nevojën për përmbyllje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetaret e Kosovës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin pozitiv të Parlamentit Evropian për sa i përket liberalizimit të vizave, dhe theksoi që ka shumë potencial për të intensifikuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve të BE-së karshi Kosovës.

Sipas saj, institucionet e reja në Kosovë janë të gatshme për të udhëhequr reformën, si në fushën e sundimit të ligjit, krijimin e vendeve të reja të punës, investimin në bujqësi dhe avancimin e Axhendës së Gjelbër.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani ka bërë thirrje për prezencë dhe ndihmë të shtuar nga ana e BE-së për të siguruar mbarëvajtjen dhe qëndrueshmërinë e këtyre proceseve.