Rajoni

Vjosa Osmani takohet me ministrin Maas: Dialogu me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare, ka takuar ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.

Siç njofton presidenca marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme dhe ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejmë të tyre. Ajo ka përmendur synimin e Kosovës për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare, ndaj ka kërkuar mbështetjen gjermane.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u bërë pjesë e BE-së, OKB-së, por edhe e shumë organizatave ndërkombëtare. Shpresoj që Gjermania të marrë në konsideratë rolin udhëheqës në mbështetjen tonë për të arritur këtë qëllim”, ka thënë Presidentja Osmani në takim me ministrin Maas.

Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë. Presidentja Osmani edhe në këtë takim e ka potencuar se rezultati përfundimtar i negociatave duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues në Kosovë, sikurse edhe e kufijve të tashëm. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive në këtë proces.

Në këtë kontekst, ka theksuar se perspektiva e Kosovës është në BE dhe se Procesi i Berlinit është shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE -së dhe më këtë proces.

Presidentja Osmani në takim me ministrin Mass ka potencuar se e mirëpret përfundimin e shpejtë të marrëveshjes dypalëshe për njohjen e patentshoferëve të Kosovës.

Ndërkaq sa i përket bashkëpunimit ekonomik, presidentja Osmani ka  përmendur marrëveshjen për transportin e mallrave, heqjen e taksimit të dyfishtë midis dy vendeve, si dhe organizimin e një forumi të përbashkët investimesh.