Rajoni

Vrasja e Liridonës në Kosovë, dëshmia e të arrestuarit Kokalla: Naimi më lutej prej 1 viti t’i vrisja gruan!

Kushtrim Kokalla, i arrestuar i tretë si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt, nëntorin e kaluar në periferi të Prishtinës, ka treguar se bashkëshorti i saj, Naim Murseli i lutej prej rreth një viti që të vriste 30-vjeçaren.

Në dëshmitë e publikuara nga mediat, Kokalla deklaroi:

Naim Murseli e ka planifikuar edhe më herët vrasjen e gruas së tij. Për këtë më ofroi edhe para, për ta finalizuar planin.

Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njëherazi i afërm i Naim Murselit, mohon ta ketë pranuar këtë punë nga Murseli.

Vlen të ceket se Naimi prej afër një viti mua më ka lutur që të e kryej këtë vrasje. Atëherë unë i kam thënë se nuk vjen në shprehje që të bëj këtë punë dhe mos më thuaj më asnjëherë.

Në dëshminë e dhënë, Kokalla pranon se Naim Murseli dhe ekzekutori i Liridona Ademajt, Granit Plava, u takuan përmes tij, por mohon të ketë gisht në vrasje. Ai dha detaje edhe mbi mënyrën e komunikimit mes Murselit e Plavës, si dhe për ditën e vrasjes së Liridonës e po ashtu ditën e varrimit.

Pas krimit, Kokalla thotë se u takua me Naimin në një hotel në Prishtinë dhe ai i rrëfeu për vrasjen e Liridonës.

Në momentin që kemi hy në dhomë, Naimi më është drejtu me fjalët: Unë e kreva këtë punë. Unë u shokova dhe i thashë që ma nuk du me ditë asgjë për këtë punë.

Në dy ditët e fundit janë publikuar edhe dëshmitë e Naim Murselit e të Granit Plavës. Ky i fundit deklaroi se Naim Murseli e porositi për vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademaj.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve, më 1 dhjetor 2023, Plava tha se Murseli i ofroi 30 mijë euro për vrasjen e Ademajt.

Biseda mes tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej krimi, në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta ishte edhe Kushtrim Kokalla. Ndërkaq, ende nuk ka një motiv e hetimet vazhdojnë nga autoritetet në Kosovë.