Aktualitet

Vrasje me armë zjarri në Dibër

Vrasje me armë zjarri në Dibër. Një sherr për motive të dobëta përfundoi me ekzekutimin e shtetasit të identifikuar si Xhetan Konesha 50-vjeç. Për krimin e ndodhur në fshatin Luzni, policia arrestoi njërin prej autorëve të dyshuar, Muhamet Mera 30-vjeç, si dhe shpalli në kërkim vëllain e tij, Altin Mera. Uniformat blu po hetojnë për zbardhjen e motiveve të ngjarjes, si dhe po bëjnë krehjen e zonës për kapjen e 42-vjeçarit në arrati.

Plagosën me armë zjarri një shtetas, me pasojë vdekjen e tij, falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të Policisë, kapet dhe vihet në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes.  Shpallet në kërkim bashkëautori tjetër i dyshuar. Sekuestrohet edhe arma me të cilën dyshohet se autorët kanë plagosur me pasojë vdekjen, 50-vjeçarin.  Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Luzni, Dibër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dy vëllezër kishin plagosur me armë zjarri fqinjin e tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e njërit prej autorëve, shtetasin M. M., 30 vjeç, banues në fshatin Luzni, Dibër. Ndërkohë vijon ndjekja dhe krehja e zonës për kapjen e bashkautorit tjetër të ngjarjes, shtetasit A. M., 42 vjeç, i cili pas ngjarjes është larguar në pyll. Dy vëllezërit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin.   Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.