Aktualitet

Vrau bashkëjetuesen në Elbasan, pranga pas më shumë se 24 orëve Ramis Micit!

Pas më shumë se 24 orësh, sot raportohet se Policia në Elbasan arrestoi autorin e krimit tronditës së ditës së djeshme, Ramis Mici. Për arsye xhelozie, Mici masakroi me thikë duke i marrë jetën shtetases Jetlira Elezi, me të cilën jetonte në një banesë të marrë me qira në lagjen “Skënderbej” të qytetit të Elbasanit.

Viktima ishte e divorcuar dhe nga martesa e parë ishte nënë e dy fëmijëve. Po ashtu, u mësua se 37-vjeçarja ka patur urdhër-mbrojtjeje pasi bashkëjetuesi, po 37-vjeç e dhunonte sistematikisht, derisa dje i mori edhe jetën në mjediset e shtëpisë ku jetonin e më tej u largua në këmbë e duke përplasur me forcë portën kryesore.

Ishin pronarët e banesës që e gjetën të pajetë e të masakruar Elezin dhe njoftuan policinë. Edhe autori i dyshuar i krimit rezulton baba i dy fëmijëve e pas divorcit nga nëna e tyre, jetonte në Elbasan në banesën me qira me bashkëjetuesen. Sot, ai u gjet i fshehur pranë përroit të Zaranikës dhe iu vunë prangat!