Rajoni

Vuçiç e parashikon “të vështirë” takimin e 15 qershorit me Albin Kurtin!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se “raundi i ardhshëm i dialogut me Kosovën nuk do të jetë i lehtë”.

Eshtë e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë, për të ulur tensionet dhe garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë.

Vuçiç deklaroi se do të udhëtojë në Bruksel të hënën, një ditë para fillimit të dialogut, për të mbajtur disa takime dhe darka pune.

Zyrtarët e Kosovës vijnë për të bërë shfaqje, ndërsa ne jemi të përkushtuar për dialog!

Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd do të vazhdojnë më 15 qershor, në selinë e Bashkimit Europian në Bruksel. Procesi ngeci vjeshtën e vitit të kaluar kur pala serbe ka hapur çështjen e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Para konfirmimit të datës për rinisjen e dialogut, zyrtarët e të dyja palëve dhanë deklarata kontradiktore.

Kurti tha se nuk mund të formohet asnjë asociacion një-etnik, ndërsa Vuçiç u shpreh se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.

Nëse mendoni të vini për gjërat për të cilat po flisni, nuk keni pse të udhëtoni!.

Me një marrëveshje të vitit 2013 të nënshkruar mes Kosovës e Serbisë në Bruksel është parashikuar formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Në 2015-ën, dy vendet me ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë.