Rajoni

Vuçiç nis “manovrat” me Turqinë! I kërkon ndihmë Erdoganit për situatën në Veriun e Kosovës

Pasi Perëndimi i mbylli dyert Kosovës, duke e lënë të vetme në iniciativën për të futur qoftë edhe me forcë kryekomunarët e rinj në ndërtesat komunare, Vuçiç ka nisur manovrat për të rreshtuar krah tij edhe një tjetër aleat të mirë të Prishtinës zyrtare, Turqinë.

Përmes një komunikate, zyra e shtypit të udhëheqësit serb njofton se Vuçiç ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun turk, gjatë së cilës i ka kërkuar Erdoganit mbështetje për “stabilizimin” e paqes në rajon.

“Presidenti Erdogan pyeti për situatën aktuale në Kosovë dhe Metohi dhe Presidenti Vuçiç e informoi atë për ngjarjet që çuan në përshkallëzimin e dhunës kundër serbëve. Ai gjithashtu i kërkoi kreut të shtetit turk të përdorë reputacionin dhe ndikimin e Turqisë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon”- tha shërbimi për shtyp i presidentit serb, duke shtuar ndër të tjera se: “Vuçiç e ftoi presidentin Erdogan të vizitojë Serbinë.”

Sipas palës serbe, Vuçiç i uroi Erdoganit fitoren në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në Turqi, “duke i dëshiruar që ta udhëheqë vendin me sukses në rrugën e zhvillimit dhe gjatë këtij mandati. Me këtë rast, presidenti Vuçiç theksoi se Turqia është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në arenën politike ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Me këtë lëvizje, më shumë sesa një tentativë për të stabilizuar paqen në rajon, Vuçiç duket se po përpiqet për të izoluar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Dhe pas Perëndimit, me Rusinë të cilën e ka gjithmonë pas vetes, Turqia mbetet sfida më e madhe për Beogradin.

Ministria e Jashtme turke tha të hënën se është e shqetësuar për përkeqësimin e situatës në veri të Kosovës dhe u bëri thirrje palëve të shmangin hapat që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon.