Bota

Vuçiç vizitë zyrtare në Francë, pritet të takohet me Macron: Fokusi, nga Kosova e deri te energjia bërthamore!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po qëndron në Paris, ku të hënën do të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Më 8 prill, Vuçiç publikoi një video në llogarinë e tij në Instagram, në të cilën tha se ndihet “në ethe dhe përgjegjës para takimeve të sotme”.

Më herët, ai ka paralajmëruar se ka vënë një kurorë lulesh te pllaka e memorialit “Besnikëri për besnikëri”, para Pallatit të Invalidëve në Paris, i cili është simbol i aleancës ndërmjet popullit serb dhe atij francez në dy luftëra botërore.

“Franca dhe populli i saj gjithmonë do të na kenë partnerë të besueshëm dhe miq që i duan ata, siç na ka dashur Franca neve. Lavdi paraardhësve tanë dhe rroftë miqësia serbo-franceze”, ka shkruar presidenti serb.

Bisedimet ndërmjet Vuçiçit dhe homologut të tij francez, Macron, pritet të nisin rreth orës 8 të mbrëmjes, pas së cilës është paraparë edhe mbajtja e një konference të përbashkët për media, e pasuar nga një darkë mes udhëheqësve.

Para nisjes së tij drejt Parisit, Vuçiç ka njoftuar se do të diskutojë për 14 tema me presidentin francez – nga industria e agrikultura, deri te inteligjenca artificiale dhe energjia bërthamore.

Më 5 prill, Qeveria e Serbisë miratoi një Memorandum të Mirëkuptimit me kompaninë energjetike franceze EDF, për vënien e një marrëdhënieje bashkëpunimi për tranzicion energjetik, e cila, siç ka shpjeguar Ministria e Energjisë e Serbisë, krijon kushtet për një partneritet strategjik në vlerësimin e potencialit për zhvillimin e një programi bërthamor civil në Serbi.

Pallati Elize ka njoftuar më herët se dy udhëheqësit do të diskutojnë për integrimin evropian të Serbisë dhe për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, se Macron do të “konfirmojë angazhimin e tij dhe mbështetjen e tij të plotë për integrimin evropian të Serbisë”, dhe se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë integrale e procesit të anëtarësimit” në Bashkimin Evropian.

Franca dhe Gjermania kanë ideuar Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën dy palët e pranuan në fund të shkurtit të 2023-tës në Bruksel – ndërsa palët u pajtuan për Aneksin për zbatimin e marrëveshjes në mars të të njëjtit vit, në Ohër.

Ky do të jetë takimi i njëzetë ndërmjet Vuçiçit dhe Macronit deri më sot.