Rajoni

Zbatohet Marrëveshja e Brukselit, zhbllokohen Jarinja e Bërnjaku!

Pas rreth dy javësh dhe siç u ra dakord në Bruksel, sot nisi zhbllokimi i dy pikëkalimeve të Jarinjës e Bërnjakut, që lidhin Kosovën me Serbinë. Ato mbaheshin të bllokuara nga serbët e veriut, që prej 20 shtatorit, kur Qeveria Kurti vendosi të zbatojë masën e reciprocitetit në targat e makinave të regjistruara në Serbi, ashtu siç vepron Beogradi.

Por më 30 shtator, delegacionet e Prishtinës e të Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian ranë dakord për zgjidhjen e krizës. Tashmë, ndërkombëtarët iu kërkojnë palëve të përfshihen në dialog konstruktiv, për të arritur normalizimin e marrëdhënieve.

Në orët e para të mëngjesit, pranë dy pikave kufitare ishin të pranishëm pjesëtarë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë për të zëvendësuar njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Nga kjo fundjavë e për dy javët e ardhshme, KFOR-i do të jetë i pranishëm në këtë zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Serbisë, si dhe me mandatin që ka.

Serbët filluan t’i hiqnin kamionët në 08:00 të mëngjesit, për t’i larguar përfundimisht pas mesdite. Në Jarinjë, Policia e Kosovës kërkoi heqjen nga një kamion të mbishkrimit në serbisht: “Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe!”. Serbët refuzuan e nisën të thërrisnin: “Serbia, Serbia!”.

Më 30 shtator, në Bruksel u vendos:

Nga 4 tetori, nis zbatimi i përkohshëm i letrave me ngjitje, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë e Serbi. Kjo deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare.

Më 21 tetor fillon punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Europian, Prishtinës e Beogradit, për të gjetur zgjidhje të përhershme.

Brenda 6 muajve, Grupi i Punës do të prezantojë rezultatet, në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, njëherazi i dërguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se Prishtina kishte të drejtë të vendoste reciprocitetin, por Uashingtoni u befasua me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.