Bota

Zgjatet me 24 orë armëpushimi Izrael-Hamas në Gaza!

Zgjatet me 24 orë armëpushimi Izrael-Hamas. Marrëveshja e re u arrit në minutat e fundit, para se akordi ekzistues të skadonte. Armëpushimi në Gaza po mundëson lirimin kryesisht të grave e fëmijëve nga Hamasi, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Zgjatja e armëpushimit ndodhi sot, në kohën kur dy sulmues të armatosur hapën zjarr ndaj disa personave që po prisnin autobusin në autostradën kryesore nga Tel Avivi për në Jerusalem. Dy vetë u vranë dhe shtatë u plagosën, siç njoftuan autoritetet izraelite. Agresorët u ekzekutuan. Ende është e paqartë nëse sulmi u krye nga ndonjë grup militant palestinez.

Presioni ndërkombëtar është rritur për vazhdimin e armëpushimit për aq kohë sa të jetë e mundur, pas pothuajse tetë javësh bombardimesh e ofensivës tokësore izraelite në Gaza, që la të vrarë mijëra palestinezë duke detyruar tre të katërtën e popullsisë prej 2.3 milionësh të territorit, të zhvendoset duke shkaktuar një krizë humanitare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shkoi në Izrael dje në mbrëmje. Kjo është vizita e tretë në rajon që nga nisja e luftës. Zyrtari amerikan pritet të kërkojë zgjatje të mëtejshme të armëpushimit dhe lirim të më shumë pengjeve.

Katari që ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin me Hamasin, tha se armëpushimi është zgjatur bazuar në marrëveshjen paraprake me Hamasin, që të lirojë dhjetë pengje izraelite në ditë, në këmbim të lirimit të 30 të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Arritja e zgjatjes së armëpushimit ndodhi në minutat e fundit, pasi Hamasi tha se Izraeli ka refuzuar listën e propozuar për lirimin e pengjeve, ku përfshiheshin shtatë persona, si edhe mbetjet mortore të tre të tjerëve, që sipas grupit radikal janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite. Izraeli shtoi se Hamasi ka dorëzuar një listë të re të pengjeve, duke mundësuar zgjatjen e armëpushimit.

Hamasi rrëmbeu mbi 240 pengje gjatë sulmit fillestar në Izrael më 7 tetor, çka nxiti luftën. Grupi radikal vrau edhe 1.200 persona. Hamasi pritet të parashtrojë kërkesa më të mëdha në këmbim të lirimit të burrave e ushtarëve.

Izraeli tha se do të vazhdojë të mbajë armëpushimin. Kur Hamasi të ndalojë së liruari pengje, Izraeli do të rinisë ofensivën, me qëllimin që të shkatërrojë grupin.