Bota

Zgjedhjet në Gjermani, sondazhet jo favorizuese për konservatorin Laschet!

Një javë para se gjermanët t’u drejtohen qendrave të votimeve për zgjedhjet federale, kandidati konservator për kancelar, Armin Laschet shprehu besimin te suksesi i tij, pavarësisht se vazhdon të mbetet pas në sondazhe.

Këto janë zgjedhje shumë të ngushta, një garë shumë e ngushtë.

Ndërkaq, ritheksoi qëndrimin kritik ndaj sondazheve të opinionit:

Sondazhet janë sondazhe, çdo ditë një sondazh i ri me një klik. Shumë njerëz nuk janë përfshirë në sondazhe të tilla.

Në anketimet e fundit, socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD), me kandidatin për kancelar, Olaf Scholz, kanë qenë disa pikë përpara CDU-së dhe partisë së saj simotër bavareze, CSU, me rreth 25% mbështetje. Scholz premtoi më shumë apartamente të arsyeshme në çmim. Ai ka premtua se si kancelar do të kujdeset që të çojë përpara projektin e 400 mijë apartamenteve të reja dhe 100 mijë prej tyre do të jenë banesa sociale.

Anketuesit ende i shohin të Gjelbrit, me kandidaten e tyre Annalena Baerbock, në vendin e tretë. Në një sondazh të institutit të sondazheve Insa, që publikohet sot nga gazeta “Bild am Sonntag”, CDU-CSU ka pasur përfitime të vogla, por ende është 5 pikë përqindje prapa SPD-së. Vendi i SPD-së mbetet i pandryshuar, me mbështetjen e 26% të votuesve, ndërsa CDU-CSU ka 21%, 1 pikë përqindje më shumë se javën e kaluar. Të Gjelbrit, ende kanë 15% mbështetje. Sa i përket popullaritetit, Laschet ka pësuar një humbje të vogël të mëtejshme dhe mbetet qartazi prapa Scholz-it, i cili kryeson me 31%.

Me fushatën zgjedhore në Gjermani që ka hyrë në javën e fundit, të gjitha partitë përpiqen të bëjnë për vete të pavendosurit, por në garën për postin e kancelarit në finish mbërrijnë vetëm dy politikanë.