Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosje vendos rekord historik me fitoren

Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e madhe e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të një dite më parë në Kosovë. Partia e Albin Kurtit, të cilës i duhen 61 deputetë për të krijuar e vetme Qeverinë, siguroi mbi 48% të votave, rekord historik në 13 vjet pavarësi. E thellë diferenca e Vetëvendosjes me subjektet e tjera. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Aleanca për Ardhmërinë, respektivisht siguruan 17, 13 e 7% të mbështetjes.

Për LDK-në, me vetëm 13% të votave, ky është rezultati më i keq historik. Kryetarët Enver Hoxhaj, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj pranuan humbjen. Hoxhaj tha se do të qëndrojnë në Opozitë. KQZ-ja në Prishtinë ka numëruar 99% të votave ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ishin 46%.

“Referendum për drejtësi e punë dhe kundër kapjes së shtetit e korrupsionit”. Këto ishin fjalët e para të Albin Kurtit pas fitores, në fjalimin drejtuar mbështetësve. Kurti doli në krah të Vjosa Osmanit, presidentja në detyrë e Kosovës e theksoi se “Bisedimet me Serbinë nuk janë përparësi” por prioritet kanë “drejtësinë e punësimin”. Më tej nënvizoi se nuk do të hakmerren ndaj askujt por kërkojnë përgjegjësi e “drejtësi pa hakmarrje”.

Në të njëjtën linjë u shpreh dhe Osmani. “Si presidente, siguroj që interesi kombëtar të jetë mbi gjithçka e aleancat me miqtë, të ruhen”, – deklaroi Vjosa Osmani. Në Shqipëri, presidenti Meta uroi qytetarët e politikën e Kosovës për atë që e quan “shembull i besimit te demokracia e vota e lirë”. Ndërkaq, kreu demokrat Basha e kryetarja e LSI-së Kryemadhi përshëndetën fitoren e Vetëvendosjes.