Aktualitet Politikë

Zgjedhjet vendore 2023, Berisha përjashton Bashën!

Jashtë selisë së Kuvendit, i mbledhur për seancën plenare të radhës, kryetari demokrat Berisha tha se “çdo deputet i cili dëshiron të kandidojë në zgjedhjet vendore, është i ftuar të kandidojë”. Por kishte një përjashtim, duke aluduar për Lulzim Bashën, dikur kryetar i Bashkisë Tiranë.

Ai bëri të ditur se aleatëve iu kërkoi të bëjnë listat e të votohet në pavarësi të plotë. Ndërsa vuri në dukje se po shkohet drejt një kandidati të vetëm, falënderoi aleatët. Berisha njoftoi se do të takohet me të gjitha forcat politike.

Formë më demokratike dhe civile se forma e një gare të hapur nuk mund të afrojë kush dhe ne po e afrojmë. Para qytetarëve shqiptarë, ne u zotuam se do të sjellim ndryshimin dhe e sollëm ndryshimin. Në këto primare do të votojë anëtarësia, por edhe simpatizantët. Partive aleate, unë iu kërkova të bëjnë lista që të votojnë anëtarët dhe simpatizantët e tyre njëlloj, me barazi të plotë.

I pyetur nëse nuk iu bashkohen deputetët e palës tjetër, kryetari i PD-së, tha:

Derisa gjithçka është e hapur, unë nuk shoh arsye pse ata të mos bashkohen në proces. Që të gjithë mund të marrin pjesë vetë, përveç njërit. Të jem i sinqertë me ju.

Ai ka problemin e vet, e dini ju, të mos merrem me të këtu. E merrni me mend ju, s’ka nevojë. Jo, grupin tjetër nuk e implikoj, asnjë njeri nuk implikoj me atë. Ai është vetëm, është i izoluar. Ai ka problemin, ta qartësojë problemin se është shumë serioz.

Pyetje: I izoluar? Po zoti Basha vijon takimet nga veriu në jug me kryetarët e degëve dhe tani do të nisë takime të tjera, kshtu tha zoti Alibeaj.

Mirë, se çfarë thotë zoti Alibeaj është tjetër punë. Po unë mund t’i them zotit Alibeaj se nuk është shumë e përshtatshme të bëhet zëdhënësi i tij.