Bota

Zhduket një avion rus me 28 persona në bord!

Një avion rus me të paktën 28 persona në bord u zhduk nga radarët në gadishullin Kamçatka në lindje të Rusisë. Siç raportojnë agjencitë e lajmeve Interfax e Ria Novosti, që citojnë autoritetet vendase, mjeti fluturues AN-26 po udhëtonte nga Petropavlovsk për në Kamçatsky.

Pilotët humbën kontaktin me kontrollorët e trafikut ajror në momentin kur po përpiqeshin të uleshin. Sipas Ministrisë së Emergjencave të Rusisë, “në avion ishin 22 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit”.

Në kërkime janë përfshirë dy helikopterë dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë në gjendje gatishmërie.

Disa aksidente ajrore vdekjeprurëse kanë ndodhur vitet e fundit në Rusi. Ekspertët fajësojnë punën e dobët në mirëmbajtjen e avionëve dhe standardet e ulëta të sigurisë. Në maj të 2019-ës, një avion i linjës ajrore Aeroflot u rrëzua në Aeroportin e Moskës e për pasojë humbën jetën 41 persona.