Aktualitet

Zjarr i qëllimshëm në një pallat në “Astir”, lëndohen 8 persona; digjen katër makina

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me zjarrin që përfshiu një pallat në Astir në orët e para të mëngjesit sot, ku u lënduan tetë banorë dhe u dogjën katër automjete.

Sipas ekspertizës paraprake dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, dhe se shënjestër ishte njëra nga katër makinat e parkuara na garazhin e pallatit, e cila është në pronësi të vëllait të biznesmenit dhe ndërtuesit Sino Llanaj. Njëherazi edhe pronar i pallatit.

Sino Llanaj është një emër i njohur për policinë dhe i arrestuar disa herë. Shkak i kësaj ngjarje dyshohen të jenë konfliktet e familjes Llanaj.

Si ndodhi ngjarja?

Një pallat në zonën e Astirit në Tiranë u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm. Si pasojë e zjarrit janë lënduar tetë banorë, të cilët u dërguan për mjekim në spital. është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të evakuuar banorët. Sipas policisë zjarri ka shpërthyer në garazhin e pallatit në Unazë të Re, në rrugën “Aleksandri i Maqedonisë”.

Shumë zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nxjerrë banorët nga katet e sipërme, të cilat janë mbuluar nga tymi.

Policia ka nisur hetimet pasi dyshohet se zjarri është i qëllimshëm. Paraprakisht dyshohen konflikte per truallin ku eshte ndertuar pallati.

Sipas ekspertizës paraprake, dyshohet se zjarri në pallatin në Astir është vënë qëllimisht në një prej makinave në garazhin e pallatit. Ndërkohë katër makina janë shkrumbuar, ndërkohë që tymi mbuloi të gjithë pallatin dhe zonën përreth.

Njoftimi i plotë i policisë

Më datë 21.06.2022, në Unazë të Re, në rrugën “Aleksandri i Maqedonisë”, në orët e para të mëngjesit ka rënë zjarr në një garazh dhe janë djegur 4 automjete.

Si pasojë e zjarrit, janë dëmtuar lehtë dhe kanë shkuar për mjekim në spital shtetasit A. Xh., 28 vjeçe, F. J., 23 vjeçe, D. J., 27 vjeçe, I. Xh., 31 vjeçe, E. Xh., 27 vjeç, E. K., 35 vjeçe, M. B., 48 vjeçe dhe N. B., 50 vjeç, të cilët pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë larguar.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.