Aktualitet

Zjarr në ‘Sarajet e Toptanasve’! Zbulohen detajet e para të ngjarjes!

Një zjarr i madh ka rënë pak pas mesnatës në monumentin e kulturës në “Sarajet e Toptanëve”. Vila e Toptanëve është përfshirë e gjitha nga flakët. Ende nuk dihet shkaku i kësaj zjarrëvënie, por sipas qytetarëve ka qënë e qëllimshme. Kanë qenë disa klientë në një lokal që kanë parë një person që ikte me vrap, pasi kishte rënë zjarri tek “Sarajet”. Pas disa orësh zjarrfikësit kanë bërë të mundur që t’i shuajnë flakët, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Burime për media bëjnë me dije se pasi kishte rënë zjarri, zjarrfikësit kishin shkuar në vendin e ngjarjes dhe kishin bërë të mundur shuarjen e tij, por që pak momente më vonë flakët janë riaktivizuar. Pak orë më vonë zjarrfikësit kanë bërë të munduar të shuajë plotësisht në flakët. Shkaqet që çuan në rënien e zjarrit nuk dihen ende, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Shtëpia e Toptanëve ose “Sarajet” e Toptanëve, u ndërtua rreth viteve 1833-1840 nga një prej familjeve më të mëdha e autoktone të Tiranës, ajo e Toptanëve. Sarajet janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme. Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Rrethuar me mure masive të lartë prej guri, ky kompleks krijon një fortifikim, duke marrë pamjen e një kështjelle të vogël. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës.

Gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut u shndërrua në bibliotekë kombëtare. Ndërsa pas Çlirimit në godinë banimi për familjarë. Sarajet janë shpallur monument kulture i kategorisë së parë, i mbrojtur nga shteti dhe u shndërrua pikërisht edhe në zyra për Insitutin e Monumenteve të Kulturës.