Aktualitet

Zjarr një Benzi në Korçë, lëndohet edhe autori/Dy të plagosur e tre të arrestuar për vjedhje në Durrës!

Flakë një automjeti në Korçë. Kamerat fiksuan momentin kur një person e djeg e merr lëndime nga zjarri pas mesnate.  Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 pas mesnate, pranë vendit të quajtur “Ura e fajancës”. Zjarri dogji një makinë tip “Benz” të parkuar, në pronësi të një shtetasi nga Korça, i identifikuar si Klodian Cacani dhe që nuk njihet si person me precedentë penalë. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve.

Në momentin e zjarrit ndodhi një shpërthim dhe autori ende i paidentifikuar nuk mundi të largohej në kohë. Mendohet se ai mori lëndime, por deri tani nuk është raportuar asnjë i plagosur në spital apo të tjera qendra e klinika shëndetësore.

Korçë/Informacion paraprak

Në datë 06.04.2023, rreth orës 01:10, pranë vendit të quajtur “Ura e fajancës”, ka rënë zjarr në automjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit K. C., banues në Korçë, i cili ishte i parkuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

Por, kjo e Korçës nuk është e vetmja ngjarje nën hetim për sot. Një sherr për motive të dobëta me mjete prerëse, me dy të plagosur ndodhi në Durrës. Njëri prej tyre e hodhi kaçavidën në koshin e mbeturinave pas bashkisë. Konflikti ndodhi rreth orës 10:30 në një nga lagjet e vjetra në qendër të qytetit bregdetar, pranë Kishës Katolike “Shën Luçia”. Dy të lënduarit u dërguan në spital, për ndihmë mjekësore. Grupi në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave.

Po në Durrës u arrestuan tre shtetas, të akuzuar për vjedhje, mes tyre një 37-vjeçare, e dyshuar se në bankën private ku punonte u ka vjedhur klientëve shuma të ndryshme parash.

Strukturat hetimore të DVP Durrës ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim B. B., 37 vjeçe, banuese në Durrës, të cilës Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, pasi dyshohet se në subjektin privat (bankë) ku kjo shtetase punonte, u ka vjedhur shuma të ndryshme parash, klientëve të këtij subjekti.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim Ilir Istrefaj, 45 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 5 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim I. A., 25 vjeç, banues në Kukës, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se ka vjedhur pajisje elektrike, në një furrë buke, në lagjen nr. 13., Durrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Në Tiranë, policia po heton kanosjen e dhunën fizike ndaj dy shtetasve në zonën e Unazës së Re nga dy persona ende të paidentifikuar.

Në datë 06.04.2023, në mesnatë, në Unazë të Re, dyshohet se dy shtetas ende të paidentifikuar kanë kanosur dhe goditur me grushte shtetasit E. H., 25 vjeç dhe K. I., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.