Bota

Zjarret masive në Sardenja të Italisë, 1.500 të evakuar!

Në Sardenja të Italisë banorët e provincës Oristano po përjetojnë ferrin nga zjarret që vazhdojnë të përhapen dhe deri tani kanë përpirë mbi 20 mijë hektarë ndërsa 1.500 vetë u detyruan të shpërngulen.

Lufta me flakët vazhdon intensive për 10 ekipe zjarrfikësish të mbështetur nga 5 canadair e 4 avionë të dërguar nga Franca dhe Greqia.

Ende e pamundur të vlerësohen dëmet.

Në Sardenja është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore ndërsa kryeministri italian Mario Draghi njoftoi se po e ndjek me kujdes gjendjen e shprehu solidaritet.

Zjarret kanë dëmtuar shtëpië e ndërmarrje bujqësore si dhe ngordhën bagëti, në atë që nga zyrtarët italianë po përshkruhet si katastrofë mjedisore.

Padyshim që i nxehti dhe era favorizojnë flakët por gjithnjë e më shumë shqetësojnë veprimet e piromanëve, të cilët në shumë raste iu vënë zjarrin pyjeve.