Aktualitet

Tiranë, investime në infrastrukturë, përfundon ndërhyrja në njësinë 7!

Zona e njohur si ish-Nyja e Betonit në Njësinë nr.7 në kryeqytet është transformuar falë trotuareve të reja, ndriçimit, kanalizimeve e sinjalistikës. Nga investimi i Bashkisë Tiranë, banorëve aty iu është rritur vlera e pronës dhe kjo ka çuar në shitjen e kateve të para të pallateve. “Kur disa po shqetësohen për listat e deputetëve, ne shqetësohemi për listën e punëve. Lista e punëve është më e rëndësishme se lista dhe renditja e deputetëve. Kush ka sy e sheh se kush është për punë e kush për llogje. Kush është këtu, si në ditë me diell, si në ditë me shi, e kush është në plazh, si në diell e si në shi, dhe hallin më të madh e ka ku do jem në listë dhe jo ku është lista e punëve që do të bëjmë për qytetin. Në fund, qytetarët vlerësojnë listën e punëve, siç do mbahet mend që ata që merren sot me listat e deputetëve, nuk bënë asnjë punë kur drejtonin Tiranën”.

Veliaj bëri dhe një sqarim për familjet që preken nga punimet në Unazë. “Kush ka letra, do të marrë kompensimin sipas të gjitha rregullave të shtetit dhe vlerës së tregut. Kush ka nevojë për strehim, do të ndërtojmë në buzë të projektit të ri, por jo në buzë të Lanës, por të rrugës së projektit të ri, pallate dhe banesa për të akomoduar të gjithë ata banorë që do ikin nga një favela në buzë të Lanës, që në ditët me shi si kjo e sotmja përmbytet. Projekti jo vetëm që nuk është hall, por është zgjidhje. Unaza do të zgjatet, siç po zgjatet në Shkozë. Asnjë familje nuk do të ngelet jashtë: ose do kompensohet, nëse zgjedhim kompensimin, ose do marrin apartamente”.