Rajoni

​Lajçak për moszbatimin e marrëveshjes: Palët s’janë të gatshme për normalizim!

Në forumin “BE-ja takon Ballkanin”, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Lajçak theksoi se marrëveshja është arritur dhe nuk mund të zhbëhet.

“Marrëveshja është aty dhe nuk mund të zhbëhet. Po të kishte pasur marrëveshje më të mirë, apo të kishte pasur propozim më të mirë, dikush do të propozonte. Nuk është ashtu. Duhet fokusuar te zbatimi i kësaj marrëveshje”, ka thënë Lajçak.

Për moszbatimin e marrëveshjes, Lajçak tha se arsyeja është “se palët nuk janë të gatshme për normalizim”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kritikuan të hënën vendimin e Listës Serbe – subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, për të mos marrë pjesë në votimin për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ambasada amerikane në Prishtinë, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës, se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë mundësinë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të shkarkuar kryetarët në përputhje me ligjin në Kosovë.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e zyrtarëve të Kosovës për të lejuar të gjithë qytetarët e vendit të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovën kanë mundësi pjesëmarrjeje. Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe që do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për largimin e kryetarëve aktualë”, thuhet në përgjigje, në të cilën theksohet se “pjesëmarrja demokratike siguron që udhëheqësit të jenë përfaqësues të popullsisë që i shërbejnë dhe votimi është e drejtë thelbësore e shoqërive demokratike”.