Aktualitet

1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve/ Meta e Ruçi mesazhe

Sot më 1 Maj në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Presidenti i Republikës dha një mesazh të publikuar në rrjetet sociale. Sipas Ilir Metës, “Propaganda e të ushqyerit me lugën bosh dhe e suksesit ekonomik me video 3D na rendit sot të dytëve pas Gjermanisë”.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, edhe këtë vit, e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë, ndërkohë që fuqia punëtore e kualifikuar vazhdon të largohet masivisht, në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme, të kushteve më të mira e më dinjitoze të punës dhe pa shpresë për një të ardhme të afërt më të sigurt.

Tërmeti dhe pandemia, me efektet e tyre negative dhe afatgjafa në ekonomi, mbyllën me mijëra vende pune, kryesisht biznese të vogla e të mesme, duke e dëmtuar rëndë mirëqenien e familjeve të punëtorëve të thjeshtë, thelluar ndjeshëm mjerimin në shoqëri dhe frenuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Propaganda e të ushqyerit me lugën bosh dhe e suksesit ekonomik me video 3D na rendit sot të dytëve pas Gjermanisë, por është fakt se shumë mjekë, infermierë dhe specialistë po zhvendosen në Gjermani dhe në vende të tjera të BE për një jetë më të mirë.

Ndërsa kjo situatë duhet të shërbejë për një reflektim të thellë dhe kur niveli i popullsisë që jetojnë me 5.5 USD/ditë është rritur me 41.5% është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të dëgjuar zërin e punëtorëve, duke rritur mirëqenien dhe drejtësinë sociale të munguar.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi nënvizon se do të punohet për të shtuar masat financiare e fiskale për të mbështetur punën dhe njerëzit e punës.

Sot është 1 Maji, dita të nderojmë njerëzit më të mrekullueshëm, punëtorët. Sot Ju drejtohem me respekt ju, punëtoreve e punëtorëve, që me djersën dhe punën tuaj siguroni mirëqenien e familjeve, rrisni e edukoni fëmijët dhe kontribuoni në zhvillimin e Shqipërisë.

Ju përulem ju, grave e burrave të Shqipërisë, që punoni në kantieret e ndërtimit, fasoneritë, fabrikat, spitalet, serrat, arat, bizneset e vogla dhe kudo ku punohet, ndërtohet, prodhohet e shërbehet.

Nderoj ju, pensioniste e pensionistë të dashur, që keni ndërtuar Shqipërinë, dhe nuk e fsheh pengun që ne nuk kemi mundur ende që respektin që ushqejmë për ju tjua kthejmë me pensione, kushte e shërbime sa më të mira, siç dëshirojmë ne dhe ju. Sot jemi të gjithë punëtorë. Sot rikujtojmë se vlerat e punës janë mbi gjithçka.

Puna është motori që shtyn përpara ekonominë, rrit mirëqënien e familjeve, lufton varfërinë dhe krijon mundësi e shanse për brezin e ri. Energjia, talenti, shpirti krijues dhe vendosmeria kanë ndërtuar themelet e mirëqenies, lirisë dhe arritjes së lumturisë për brezat e shqiptarëve.

Punëtorët janë patriotët, qytetarët e prindërit më të mirë. Asgjë nuk e forcon Shqipërinë më shumë sesa puna, asgjë nuk i edukon më mirë fëmijët sesa dashuria për punën. Shqipëria progreson vetëm nga puna dhe njerëzit e punës. Asgjë nuk e nderon më shumë Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë sesa kujdesi për njerëzit e thjeshtë dhe të punës.

Lehtësimi i jetës dhe përmirësimi i mirëqenies suaj nëpërmjet uljes së taksave, rritjes ekonomike, hapjes së vendeve të punës, rritjes së pagave e pensioneve, mbetet prioriteti ynë!

Ne respektojmë ata që krijojnë punë dhe hapin vende pune. Por u japim më shumë respekt atyre që punojnë dhe ndërtojnë përditë ekonominë e Shqipërisë. Mendja jonë si ligjvënës e qeverisës është te puna, zemra jonë është te njerëzit e punës. Çdo punë ka dinjitet, çdo punëtor është vlerë për shoqërinë.

Pagat dhe kushtet e punës duhet të ndihmojnë mirëqenien dhe ushqejnë dinjitetin e familjeve punëtore. Rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë, rritja e pensioneve dhe dyfishimi i bonusit për pensionistët nuk janë privilegje, por plotësimi i detyrimeve ndaj tyre. Dinjiteti i pagave dhe kushteve të punës dëfton integritetin e shoqërisë. Zerimi i taksave për pagat e ulta, ulja e taksave për pagat e tjera si edhe zerimi i tatim-fitimit dhe tvsh për biznesin e vogël për nje periudhë 10-vjeçare janë masa për të mbështetur njerëzit punëtorë të këtij vendi.

Ju treguat një shpirt të lartë qëndrese në përballimin e pasojave të pandemisë, të cilët rënduan në mënyrë të veçantë te ju dhe fëmijët tuaj. Kuvendi dhe Qeveria do të bëjnë më të mirën që dalja nga pandemia e të lehtësohet e përshpejtohet dhe ju të gëzoni në familjet tuaja!