Bota

2500 viktima nga tërmeti në Marok, autoritetet nxitojnë të shpëtojnë të mbijetuarit!

Bilanci i viktimave të tërmetit të dhunshëm që tronditi Marokun natën mes së premtes dhe së shtunës është ngjitur në 2.500.

Të dhënat janë konfirmuar nga Ministria e Brendshme e vendit, sipas të cilës thuajse po aq janë edhe të plagosurit.

Ndërkohë, skuadrat e shpëtimit kanë gërmuar me duar të zbathura për të gjetur të mbijetuar nën gërmadhat e ndërtesave.

Pajisjet e tonazhit të rëndë nuk mund të kalojnë përmes rrugëve për shkak të bllokimeve nga gurët dhe rrjedhimisht e kanë të pamundur të arrijnë fshatrat e largët në afërsi të epiqendrës, në Malet Atlas.

Sipas autoriteteve, nën rrënoja ka ende shumë njerëz që presin dëshpërimisht ndihmën e ekipeve të emergjencës.

Qeveria marokene ka deklaruar se deri tani ka pranuar ndihmat nga katër vende, Britania, Spanja, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Oferta nga vende të tjera nuk janë pranuar, përfshirë ato nga Franca, që dikur ka qenë fuqia koloniale e vendit afrikano-verior.

Tërmeti i së premtes është më fatali që bie në vend në 60 vitet e fundit. Shumë qytetarëve ai u ka kujtuar atë shkatërrues të vitit 1960 në lokalitetin Agadir.

Edhe pse në shkallë Rihter më të ulët, 5.7 ballë, ai tronditi qytetin maroken më 29 shkurt, duke vrarë të paktën 12 mijë persona.